Vdekja misterioze e 16-vjeçares shqiptare në Trikala/ Familjarët kërkojnë telefonatën e fundit

Ndërsa provat pas ekzaminimit mjeko-ligjor forcojnë skenarin e vetëvrasjes në rastin e vdekjes së 16-vjeçares Maria, Policia e Trikalës pas insistimit dhe bindjeve të familjes se është një krim, nuk do ta mbyllë dosjen për të hedhur më shumë dritë mbi çështjen.

Sipas avokatit Dimitris Samartzis, familja është në pritje të zbulimit të bisedës në telefon pak para ngjarjes dhe ekzaminimeve toksikologjike, të cilat do të hedhin dritë mbi ngjarjen.

Prindërit dhe vëllezërit e Marias shpërthyen në akuza, ndërsa thanë për Protothema.gr pas funeralit, se nuk ishin në dijeni se 16-vjeçarja kishte një lidhje me policin 27- vjeçar. Sipas informacioneve, Maria 16-vjeçare kishte njohur oficerin e policisë 27-vjeçar përmes instagramit dhe ata kishin lënë për t’u takuar mbrëmjen e të martën së kaluar. Polici shërben në Athinë, por është me origjinë nga Trikala. Maria, sipas prindërve të saj atë natë iku nga shtëpia vonë natën për ta takuar.

“Motra ime u vra, ajo nuk bëri vetëvrasje. A është e mundur që një oficer policie të shkojë natën me një vajzë të mitur pa e ditur prindërit e saj? Unë, si prindërit e mi, nuk dija asgjë për marrëdhëniet e Marias me këtë burrë.

Unë e doja shumë Marian dhe kujdesesha për të si edhe për Kristinën, motrën tjetër, binjake, dhe vazhdimisht u thosha që do të isha pranë tyre për gjithçka që ju nevojitet.”, tha e motra.

Ndërkohë i vëllai tha se: “Maria i diskutoi sekretet e saj më shumë me motrën e saj binjake, Christina, ato ishin të pandara”. Nga ana tjetër nëna e vajzës pohoi se donte që e vërteta të dilte në dritë.

“Një krim u krye dhe vajza jonë vdiq. Unë dua që e gjithë e vërteta për vdekjen e Marias tonë të dalë në dritë. Nuk e dija që fëmija im ishte larguar fshehurazi nga shtëpia brenda natës për të takuar një oficer policie me të cilin kishte një lidhje, nga ato që mësova më vonë.

Si nënë vazhdoja t’u thosha vajzave të mia binjake se; ‘duhet të kujdeseni për miqtë tuaj dhe për njëri-tjetrin’. Nuk e dija që Maria kishte një shoqëri dhe se ajo doli me të në orën 02:00 të mëngjesit. Kristina ime më tha gjithçka, pas së keqes që na ndodhi.

Vajza ime ishte e lumtur, nuk u lëndua aspak, ajo ishte e etur për jetë. Nuk besoj se fëmija kreu vetëvrasje. Sa e trishtueshme mund të jetë për një vajzë 16-vjeçare që dëshironte të bënte vetëvrasje?

Shtëpia jonë ka tre kate, ajo mund të hidhej edhe nga çatia e shtëpisë sonë për të bërë vetëvrasje dhe të mos vraponte natën. Ata e vranë fëmijën tim”,- thotë nëna e Maria për prototema.gr.

Fjalë prekëse ka thënë edhe babai i vogëlushes me origjinë shqiptare. Ai tha se vajza tjetër binjake tashmë ka ngelur vetëm dhe është në gjendje të rënduar psikologjike. “Maria ime ishte një lule. Motra e saj binjake, Christina, është shumë e sëmurë psikologjikisht.

Ato ishin të pandara dhe tani ajo mbeti vetëm. Ne duam të dimë se çfarë ndodhi me fëmijën tonë atë natë. Unë do ta shpie çështjen deri në fund për të justifikuar shpirtin e fëmijës tim”, thotë babai i 16-vjeçarit.

Sipas informacioneve nga protothema.gr, 16-vjeçarja Maria ishte shumë e dashuruar me oficerin e policisë 27 – vjeçar dhe ishte me të vërtetë ajo që e kërkoi ta takonte atë natë, para vdekjes së saj.

Vajza 16-vjeçare kishte një takim me oficerin e policisë dhe sipas dëshmitarëve, atmosfera mes tyre ishte shumë e qetë dhe ato dukeshin të lumtur.

Në fakt, takimi i tyre zgjati disa minuta dhe Maria, e shoqëruar nga oficeri i policisë, u kthye në shtëpinë e saj: Por ata u ndanë pak para se ajo të arrinte në shtëpi, në mënyrë që lagja të mos e kuptonte që e mitura ishte në një lidhje.

Sipas informacioneve nga Siguria e Trikalës, 27-vjeçari ka një alibi të pashprehur siç shihet nga pamjet filmike të fiksuara në lagjen e Maria 16-vjeçare se në 3:15 të mëngjesit ai e lë në shtëpinë e saj dhe largohet. Por kamera zbulon një fakt tjetër serioz.

Me sa duket, kur polici u largua, telefoni celular i 16-vjeçares filloi të tingëllonte, ajo iu përgjigj thirrjes hyrëse. Ndaj, në vend që të hynte në shtëpinë e saj, ajo u kthye dhe u largua. Tashmë mbetet ende mister se kush fshihet pas asaj telefonate.

Loading...