Vdes në banesën e tij i forti i Tiranës, ‘gjenerali’ i 1997

Nehat Kulla nje personazh i njohur ne Tirane dhe ne Shqiperi si Gjenerali i 1997-ës ka ndërruar jetë diten e sotme. 

Mesohet se në moshën 67-vjeçare ai ka ndërruar jetë në banesën e tij në Tiranë.

Nehat Kulla pak kohë më parë la dhe qelinë e burgut të Fushë-Krujës, pas dënimit me 20 vjet burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shoferi i ish-zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata.

Kulla e kreu të gjithë burgimin, pasi fitoi disa herë ulje të dënimit. Kohët e fundit në burg ai pati vizita dhe nga njerëz të politikës, pasi deputeti Kujtim Gjuzi që është shprehur se është miku i tij, shkoi dhe e takoi në qeli.

Kulla pak kohë më parë humbi dhe vëllain e tij, Ramazan Kulla, pasi ishte prekur nga COVID-19.

Kush ishte Nehat Kulla
Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.

Nofka “Gjenerali”
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.

Në moshë të re Kulla u arrestua gjatë periudhës së komunizmit për plagosje me thikë dhe dënohet nga Gjykata e Tiranës.
Në dhjetor të vitit 1996 dënohet me 11 vjet burg për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri, njëri prej të cilëve me detyrë polic pranë komisariatit 4 në Tiranë.

Në vitin 1997 arratiset nga burgu, por arrestohet më 12 Shtator 1999 në aksin rrugor Peqin-Elbasan. Në makinën e Kullës policia gjeti disa armë, të cilat hodhën dhe akuzën e parë ndaj tij. Më pas, gjatë kontrollit në banesë, u gjet një arsenal i tërë armësh të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat Kulla tha në proces se i kishte ruajtur si pronë e Halil Haklajt.

Kulla gjatë shqyrtimit gjyqësor tha se nuk ishte vrasës, por kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar njerëzit hallexhinj, të cilët i kërkonin ndihmë. Prokurori, Bujar Hoxha, i deklaroi në atë kohë gjykatës se Kulla kishte krijuar komisariatin numër 5 në Tiranë dhe i bënte karshillëk shtetit. Këtë akuzë gjykata e hodhi poshtë, pasi nuk kishte prova bindëse. Poshtë u hodhën edhe disa prova të tjera, të cilat e bënin fajtor Kullën për vrasje. Gjykata rrëzoi si të pabesueshme dëshminë e dhënë nga motra e Fatmir Thaçit, për vrasjen e të cilit është akuzuar Kulla, me pretendimin se dëshmitarja ishte e dënuar në një burg të Greqisë. Gjykata e Apelit e zbuti dënimin ndaj Kullës nga 12 vjet burg në 2 vjet e gjysmë. Ndërkohë që, gjyqtari i Shkallës së Parë, Fehmi Petku, e liroi Kullën për sjellje të mirë 30 ditë përpara se të përfundonte vendimi i Apelit.

Loading...