Veliaj: Kjo është Tirana qytetare, që e do ligjin dhe shtetin

Mijëra qytetarë iu bashkuan sot festimeve të organizuara nga bashkia e Tiranës me rastin e “Ditës së Verës”, duke treguar edhe një herë se ky qytet nuk i përkrah aktet e vandalizmit ndaj

pronës dhe të mirës publike dhe se qytetaria mbetet vlera e tij më e fortë. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndoqi nga afër disa nga aktivitetet festimeve të organizuara në Sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Parkun e Madh të Liqenit, ndërsa vlerësoi faktin se shumica e qytetarëve të Tiranës e duan qytetin dhe janë kundër dhunës.

“Jam shumë i lumtur që sot, Tirana e vërtetë, ata që jetojnë në Tiranë, që e duan Tiranën, që duan familjen e tyre më shumë se sa partinë, që duan që ky vend të ecë përpara më shumë se sa ata që duan ta shkatërrojnë, janë sot me shumicë. Kemi përgatitur 50 aktivitete, të cilat kanë filluar që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, vazhdojnë përgjatë gjithë Bulevardit, mandej me sportet ekstreme te sheshi “Nënë Tereza”, dhe në fund me 10 aktivitete te Liqeni. Në pak orë nga shkatërrimi i djeshëm, Tirana ka ngritur kokën. Të gjithë janë këtu me familjet e tyre, jo burrat e dhunshëm, por gra, fëmijë, gjyshe, nipër e mbesa, sepse kjo është Shqipëria e vërtetë! Sot, edhe mediet e huaja që janë në Tiranë dhe po ndjekin zhvillimet, kanë shansin të shohin Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë që do të ecë përpara, Shqipërinë që do të bëjë progres dhe Tiranën që gjithmonë e më shumë është qyteti i ëndrrave tona”, tha kryebashkiaku i Tiranës. Ai falenderoi të gjithë qytetarët që u distancuan nga aktet e dhunës dhe që sot kanë dalë për të festuar ardhjen e stinës së ngrohtë. “Kjo është një festë që bashkon dhe në një situatë ku gjithmonë flitet për politikat e përçarjes, sot kemi nevojë të flasim për gjërat që na bashkojnë dhe jo për gjërat që na përçajnë. Ky qytet ka parë progres këto katër vite dhe ky qytet do të vazhdojë me këtë progres, ndaj edhe unë sot dua t’i falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që dje u distancuan nga aktet e dhunës, të zjarrit, të hurit dhe të litarit, kurse sot po tregojnë masivisht atë që është Tirana e vërtetë, Tirana përtej të majtës dhe së djathtës, përtej PD-së dhe PS-së, që e do jetën, e do progresin, pastërtinë, e do ligjin, e do shtetin, muzikën, artin dhe kulturën”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj shtoi: “Sot besoj se qyteti ka treguar që nuk e pranon dhunën, pavarësisht nga cilat qytete vijnë. Për të gjithë ata që erdhën dje për një ekskursion në Tiranë, kam një pyejte: sa mirë pastrohet qyteti nga vini? Burreli, Kamza, Paskuqani, Shkodra, Lezha, Pogradeci? Sa mirë janë shkollat, kopshtet, çerdhet në qytetin prej nga vini për të dhunuar Tiranën? Në Shkodër, Lezhë, Burrel, Pogradec, Kamëz? Sa pastër është ana e lumit nga ana e Kamzës? Sa mirë vjen autobusi në qytetin tuaj? Sa ngrohje kanë shkollat në qytetin tuaj? A nuk janë këto gjërat e rëndësishme për të cilat duhet të fokusohemi?! Dikush lë qytetin e vet në situatë mizerje dhe vjen të prishë qytetin tonë, kjo është diçka që Tirana nuk e toleron. Përgjigja jonë nuk është një përgjigje e dhunshme, përgjigja jonë është një përgjigje me hare, me gëzim, me bashkim”. Sipas tij, masiviteti i kësaj feste tregon se gëzimi dhe e bukura mbizotëron gjithmonë. Për këtë arsye, Veliaj theksoi se edhe kjo ditë feste përcjell mesazhin se qytetarët duan progresin dhe jo shkatërrimin. “Për këtë Tiranë dhe për fëmijët e këtij qyteti, që nuk ka fare rëndësi çfarë bindje kanë prindërit, punohet për të gjithë. Ndaj, besoj se mesazhi që japim për Ditën e Verës është: eja të fokusohemi te gjërat që na bashkojnë, te një Tiranë që po bën progres, te dashuria, jo te përçarja, eja fokusohemi te paqja për t’u përqafuar me njëri-tjetrin, jo për t’u përçarë dhe për të dhunuar një qytet që mezi e ndërtojmë”, deklaroi kryebashkiaku.

Gjithashtu, ai falenderoi të gjithë punonjësit e bashkisë që në një kohë rekord iu përgjigjen nevojës dhe e pastruan qytetin për ta bërë gati për festën e sotme, ndërsa u shpreh se nuk do ta lejojë që Tirana të bëhet si qytetet prej nga vijnë protestuesit që e vandalizuan atë një ditë më parë. “Dua t’i falenderoj publikisht të gjithë ata që u përkushtuan dje që Tirana sot të gdhihej xixë, duke filluar nga oficerët e policisë së shtetit te oficerët e policisë bashkiake, te pastrueset; ata ndoshta dje e kishin ditë pushimi, se do të punonin sot, por edhe dje dolën në punë që të sigurohej që Tirana pastrohej, meremetohej, lahej, fshihej”, përfundoi Veliaj./atsh/

Loading...