Veliaj: Qyteti do të triumfojë mbi barbarinë

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shprehu sot mirënjohjen e thellë policëve bashkiakë për qytetarinë e treguar përballë protestës së një grupi banorësh që preken nga “Unaza e Madhe” para bashkisë.

Veliaj vizitoi në spital oficerët e plagosur, të cilëve u uroi shërim të shpejtë, ndërsa vlerësoi qytetarinë e treguar përballë asaj që e cilësoi “parti e dhunës, hurit e zjarrit”.

“Si tek Lodrat, sheshi ‘Skënderbej’ dhe ‘Pazari i Ri’, puna do e mundë dhunën, dhe qyteti do të triumfojë mbi barbarinë! Ta harrojnë, Tirana nuk ndalet më”, u shpreh Veliaj.

Banorët e zonës së “Astirit” protestuan sot para bashkisë së Tiranës, kundër prishjes së banesave të tyre nga projekti i ndërtimit të “Unazës së Madhe”.

Për projektin e Unazës së Madhe parashikohet që të prishen 317 objekte, ndërsa qeveria ka premtuar shpronësim 100% për pronarët./atsh

Loading...