Vetëm një anëtar i familjes do të lejohet për pazare, pensionistët nuk dalin më

Kryeministri Edi Rama deklaroi edhe një herë se duke nisur nga e hëna nuk do të lejohet asnjë qytetar që të dalë për të bërë pazare pa marrë një leje më parë.

Gjatë një lidhjeje “live”, Rama tha se vetëm një anëtar i familjes do të ketë mundësi të pajiset me autorizim. Ai theksoi se pensionistët nuk do të kenë më liri-dalje.

“Nuk kemi bërë një kufizim të ri por thjesht kemi racionuar lëvizjen që do të thotë që kemi ngritur sistemin në bazë të teknologjisë që do t’ju mundësojë të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për të dalë për të bërë pazar që të marrin një leje drejtpërdrejt nga smartphone apo me sms nga telefoni normal.

Që do të thotë që në këtyë mënyrë vetëm një anëtar i familjes mund të lejohet të dalë për të bërë pazar, asnjë pensionist nuk do të lejohet të dalë më.”

I pyetur sesi e sheh gjendjen e deritanishme në Shqipëri që prej 8 marsit kur u konfirmuan dy pacientët e parë me koronavirus, Rama tha se kjo është një luftë dhe se patjetër që do të ketë viktima. Sipas tij, masat e marra janë të duhurat dhe prioritet është që të ulet me sa të jetë e mundur numri i viktimave.

“Unë mendoj që kjo është një luftë dhe luftë pa viktima nuk ka. Ajo që besoj është e rëndësishme është që bëjmë këtë që po bëjmë dhe të ulim në maksimum numrin e viktimave dhe peshën e vuajtjeve që do të kalojmë deri në përfundim të kësaj lufte.

Duke parë projeksionet e mundshme që janë publikuar nga individë të pavarur, patjetër që janë jetë të humbura. Por krahasuar me çfarë do të ndodhte nëse nuk do të bënim këtë që po bëjmë, është një minimun i minimumit të minimumit. Para pak ditësh ndoqa një ekspert me një projeksoion prej 18 mijë viktimash. Po bëjmë atë që duhet dhe po e bëjmë në kohën e duhur dhe lutem që ta bëjmë kështu deri në fund.”

Loading...