Më 22 Mars 2019, në Vlorë, u zhvillua ceremonia e promovimit të librit “Detaria shqiptare në rrjedhën e kohës”, shkruar nga Seit Jonuzaj me bashkautor Neki Lameborshi. Libri ka karakter historik të detarisë shqiptare në shekuj, ka 370 faqe dhe është i ilustruar me fotografi të shumta. Është një botim cilësor i shtypshkronjës ILAR Tiranë, i sponsorizuar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë së sigurimeve shoqërore SIGAL, z. Avni Ponari, i cili sponsorizoi edhe ceremoninë e promovimit.
Organizimi i ceremonisë promovuese u bë në bashkëpunim me Shoqatën e Detarëve shqiptarë me qendër në Tiranë. Në këtë veprimtari morën pjesë një numër i madh detarësh dhe ish detarësh të Forcës Detare nga Tirana, Durrësi, Vlora e Orikumi. Ceremoninë e hapi përfaqësuesi i Shoqatës së Detarëve, zoti Dhionis Andoni, i cili i bëri një vlerësim të lartë përmbajtjes së librit dhe autorëve. Pastaj fjalen e mori ish komandant i Brigadës së Nëndetëseve, zoti Petrit Myftiu dhe pas tij foli edhe ish komandant nëndetëseje, zoti Çapajev Smokthina. Të dy folësit bënë recensionin e librit duke e vlerësuar si një krijim me shumë vlera për historinë e detarisë shqiptare në shekuj. Ata vlerësuan lart edhe punën serioze dhe cilësore të bërë nga autori Seit Jonuzaj dhe bashkautori i tij Neki Lameborshi. Pas tyre foli autori i librit Seit Jonuzaj, i cili falënderoi pjesëmarrësit, sponsorin Avni Ponari dhe folësit për vlerësimin që i bënë librit dhe fjalët e mira që thanë për autorët.
Në fund, sponsori Avni Ponari bëri një falënderim të veçantë për punën e bërë nga autorët dhe i ftoi pjesëmarrësit në drekën e shtruar për ta me këtë rast. Dreka kaloi në një atmosferë të hareshme dhe fotografime.
———————————————————————————————————————————————————————————————————
Autori i librit, Seit JONUZAJ, në ceremoninë e promovimit të librit u shpreh:
Të nderuar të pranishëm!
Së pari, ju falënderoj për praninë tuaj në paraqitjen e librit “Detaria shqiptare në rrjedhën e kohës”.
Së dyti, në emrin tim dhe të bashkautorit, Neki Lameborshi që për shkak të ndodhjes së tij në lundrim larg Shqipërisë nuk mundi të ishte sot këtu, i shprehim falënderimet tona të veçanta z. Avni Ponari, ish-kuadër i Forcave detare dhe sot drejtor i shoqërisë së sigurimeve shoqërore SIGAL, i cili me sponsorizimin që bëri për botimin e këtij libri, por edhe për organizimin e sotëm të kësaj veprimtarie, u tregua shumë bujar. Për angazhimin dhe interesimin e treguar për librin tonë, falënderoj edhe z. Vullnet Xhafaj.
Siç dihet, populli ynë është marrë me detari që nga kohët më të lashta. Ilirët si lundërtarë të shquar, me anijet e tyre Liburnide dhe Lembe kishin bërë emër në Adriatik e Jon me anijet e tyre të shpejta e të zhërvjellta. Dhe me gjithë pushtimet dhe dyndjet e njëpasnjëshme, romako-bizantine, veneciane, sllave e turke, të parët tanë nuk hoqën dorë nga lundrimi detar. Këtë fakt e kanë vënë në dukje jo vetëm studiuesit shqiptarë, por edhe studiues e albanologë të huaj, si Baldaçi, Hani etj. Ndër të tjera Hani shkruan, se traditat detare të shqiptarëve të Greqisë u bënë bërthamë e flotës ushtarakodetare greke, aq sa deri vonë në shekullin e XIX kjo flotë kishte si gjuhë të saj gjuhën shqipe. Këtë e pohon edhe gjuhëtari ynë i shquar Eqerem Çabej, duke shkruar se në shekullin e kaluar, gjuha e detarëve në Greqi ishte më shumë shqipja se sa greqishtja. Pra, populli ynë brez pas brezi gjatë shekujve ka trashëguar një traditë të shkëlqyer detare. Dhe për të hedhur dritë mbi këtë traditë, u përpoqëm të jepnim edhe ne kontributin tonë, me aq sa mundëm, duke bërë diçka,pa pretenduar se arritëm të bënim gjithçka me këtë libër. Ia lëmë lexuesit ta gjykojë si për plotësinë, ashtu edhe për mangësitë e tij.
Por duhet të theksoj se në kushtet e sotme të ekonomisë së tregut është e pamundur të botosh libra pa pasur burime financiare. Mbi tre vjet erdhëm vërdallë për të gjetur ndonjë mundësi financiare, po kudo që trokitëm, askush nuk na e hapi derën. I vetmi person që nuk na përcolli duarbosh ishte z. Avni. Prandaj e çmojmë shumë gjestin e tij bujar, duke i shprehur mirënjohjen tonë për sponsorizimin e librit dhe të ceremonisë së sotme për paraqitjen e tij.
Dëshiroj të shpreh falënderime për të gjithë ata pjesëtarë të forcave detare që na ndihmuan me kujtimet e tyre gjatë përgatitjes së dorëshkrimit për këtë libër. Kontribut të veçantë dhanë me materialet e tyre dy shokët e mi të luftës, të shkollës dhe të punës në Forcat detare: Qemal Hysaj e Izet Veçani, ndaj të cilëve jemi mirënjohës. Nuk mund të lë pa falënderuar edhe gjuhëtarin Prof.dok. Rami Memushaj për redaktimin e librit.
Falënderojmë zotërinjtë Petrit Myftiu e Çapajev Smokthina dhe vetë sponsorizuesin, z. Avni Ponari për vlerësimet dhe fjalët e mira që thanë për librin dhe autorët e tij.
Ju faleminderit!
Në shenjë respekti për ju po u japim librin falas.
Seit JONUZAJ
Vlorë, më 22/03/2019