Një 38-vjeçar,që vuante prej disa muajsh dënimin në IEPV-në e Beratit është gjetur i vetëvarur në qelinë e tij mesditën e sotme.
Bujar Murati, 38 vjeç, nga fshati Lybeshë i rrethit të Poliçanit është gjetur në qelinë e tij nga punonjësit e burgut dhe është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit.
Burimet spitalore konfirmojnë se 38-vjeçari kishte mbërritur në spital në gjendje kome dhe për këtë arsye është dërguar me urgjencë në Tiranë.
Ajo që u arrit të mësohej nga burime konfidenciale, është fakti se 38-vjeçari Bujar Murati është xhaxhai i Ariela Muratit, studendes që u vra nga i dashuri i saj pranë fakulteti të Mjekësisë në Tiranë rreth 1 vit më parë.
Ende nuk dihet shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje të rëndë që u mbajt e fshehtë nga institucioni i Burgut të Beratit. Në lidhje me ngjarjen pritet të reagojë edhe dega e PD-së Berat./BW