inistri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përshëndeti pasditen e sotme nisjen e seancave dëgjimore të vetingut në Polici, duke theksuar se pret rezultate konkrete në funksion të forcimit të Policisë së Shtetit.
“Nisi sot procesi i shumëpritur i seancave të dëgjimit për nivelin e lartë drejtues, që do t’i nënshtrohen të parët vetingut. Procesi ka hyrë kështu në fazën vendimtare.
Presim rezultate konkrete, të cilat do të ndikojnë në forcimin e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera që do të vlerësohen”, theksoi Lleshaj.
Sipas tij, ky është kurorëzimi i një përpjekje të gjatë përgatitore, që kulmoi me miratimin e ligjit dhe ngritjen e strukturave të posaçme.
“Në përfundim të këtij procesi, ne presim që Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), të dalin më të forta, më me integritet dhe më imune ndaj fenomeneve të korrupsionit apo paaftësisë profesionale”, vuri në dukje ministri i Brendshëm.
“Realizimi i vetingut është ndër prioritetet më të rëndësishme të punës sonë, i cili besojmë se do të ketë efekt pozitiv edhe në procesin e Reformës në Drejtësi. Pa një reformim të thellë edhe në fushën e Policisë, Reforma në Drejtësi nuk do të ishte e plotë”, tha Lleshaj.
Ministri Lleshaj përfundoi duke nënvizuar se reformat për forcimin dhe pastrimin e punonjësve dhe institucioneve do të vijojnë. /atsh