Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shpalli të premten më 10 mars 2023 vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Naim Tota. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirko dhe anëtar Roland Ilian.
Gjatë seancës dëgjimore të parë të mbajtur më 24 shkurt Tota dha shpjegime në Komision për dyshimet e ngritura për fshehjen për rreth 13 vjet të një apartamenti në emër të kunatit.
Subjekti e kundërshtoi këtë gjetje duke këmbëngulur se kishte dorëzuar prova të pa kontestueshme që vërtetonin se nuk kishte lidhje me porositjen e apartamentit të blerë nga kunati në vitin 2003 dhe as me pagesat e kryera në atë periudhë.
Ai sqaroi se e kishte marrë në përdorim këtë pasuri në vitin 2004, kur dhe kishte ndërruar adresën. Po ashtu, Tota pretendoi se kishte vërtetuar se kunati kishte pasur mundësi për këtë investim, megjithëse sipas tij nuk duhet te konsiderohet si person tjetër i lidhur.
Për mos deklarimin e një investimi të bashkëshortes së ndjerë në shoqërinë ku ajo punonte, subjekti pretendoi se nuk kishte patur dijeni. Po ashtu, ai kundërshtoi edhe gjetjet në aspektin profesional lidhur me moszbatimin e detyrave të gjykatës për çështjet që i janë rikthyer për rihetim.
Naim Tota e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Kukësit, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në atë Matit – përpara se të emërohej në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2013. /Birn