Vettingu në polici, nis për 45 efektivat e parë

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, ka përzgjedhur 45 emrat e parë që do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut.

Në procesin e parë të vettingut do të përfshihen detyrat më të larta drejtuese në Policinë e Shtetit, 31 punonjës, në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), 12 punonjës dhe në Gardën e Republikës, 2 punonjës.

Dosjet e vetë-deklarimit janë tërhequr nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe ka nisur puna në fazën e parë, ajo e shqyrtimit të deklaratave, kërkimit të informacioneve dhe verifikimeve përkatëse.

Sipas parashikimeve ligjore, pas procesit të hetimit administrativ, do të mbahet për çdo subjekt seancë e hapur dëgjimore.

Ligji për nisjen e vettingut në polici hyri në fuqi dy javë më parë, pasi Kuvendi rrëzoi dekretin e presidentit Meta.

Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për vettingun me argumentin se cenon parimet dhe standardet e vendosura në Policinë e Shtetit.

Sipas tij, me ndryshimet e bëra nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, qeveria kërkon që të kontrollojë procesin e vettingut në Policinë e Shtetit.

Lleshaj ka argumentuar se ligji i ri nuk ka ndryshim nga ai i vjetri, por disa rregullime të vogla, siç ai i quajti ‘kozmetike’, në të mirë të këtij procesi.

Loading...