Vijon intensivisht puna për rikonstruksionin e LOTIT II të rrugës së Lumit të Vlorës.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) bën të ditur se, aktualisht po bëhen gërmime, për hapjen e trasesë së rrugës së lumit të Vlorës.
Punimet në LOTIN II, i cili përfshin segmentin Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos prej 27,1 km, parashikojnë: përmirësimin e parametrave gjeometrikë të rrugës, zgjerimin e trasesë, nivelimin e rrugës me material shkëmbor dhe trajtimin e të gjitha nënshtresave, 9 ura të reja me gjatësi nga 30-150 m, vepra të tjera, si mure mbajtëse dhe pritëse, si dhe sistemin e trotuareve dhe ndriçimit në zonat e banuara.
Me financim të qeverisë shqiptare, Fondit Kuvajtian dhe Fondit Saudit kjo rrugë siguron lidhjen të më shumë se 60 fshatrave të zonës, me popullsi mbi 40.000 banorë me qytetin e Vlorës.
Studimi i fizibilitetit ka nxjerrë në pah, se kjo rrugë do të gjenerojë një numër përfitimesh sociale dhe ekonomike përfshirë; aksesin në tregjet rajonale dhe lokale për fermerët, reduktimin e papunësisë dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë lokale, përmes intensifikimit të aktiviteteve ekonomike ekzistuese, si dhe nxitjen e zhvillimin e aktiviteteve sportive si trekking dhe ecje me biçikleta, të cilat eventualisht do të sjellin transformimin e të gjithë luginës në një atraksion turistik./atsh