Vijon protesa e studentëve në vend – Kërkojnë heqjen e tarifave për provimet e prapambetura

Studentët e disa universiteteve në vend po vijojnë sot ditën e dytë të protestës, për të kërkuar anulimin e tarifës për provimet e prapambetura.

Studentët e Universitetit të Tiranës janë pozicionuar sërish sot para godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me kërkesën për anulimin e VKM-së për tarifat shtesë për provimet e mbartura (670 lekë për kredit).

Me pankarta në duar, ata kërkojnë po ashtu edhe përgjysmimin e tarifës së studimeve dhe përmirësimin e kushteve në konvikte.

Një tjetër kërkesë e studentëve është që Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord.

Në protestë janë po ashtu edhe studentët e Korçës, Elbasanit dhe të fakultetit Juridik në Shkodër, ndërsa nuk i janë bashkuar tubimeve studentët e Vlorës dhe të Gjirokastrës.

Ndërkohë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla u shpreh dje e gatshme për të takuar studentët, ndërsa theksoi se “tarifat nuk i përcakton ministria por janë tagër i universitetit”./atsh

Loading...