Viti 2020 do të jetë viti i sigurisë rrugore!

Viti 2020 do të jetë viti i sigurisë rrugore.

Këtë theksoi Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, gjatë tryezës së mbajtur sot në Tiranë për të diskutuar mbi ndryshimet në Kodin Rrugor, që pritet t’i propozohen Qeverisë.

Gjatë tryezës, ku merrnin pjesë edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si edhe specialist të Sigurisë Rrugore. Ministri nënvizoi se deri në fund të muajit shkurt do punohet për të pasur një listë të masave dhe ndryshimeve ligjore për kodin rrugor, që më pas do t’i paraqiten Qeverisë.

Leshaj tha se do jenë një sërë masash të reja që do të diskutohen me qëllim uljen e aksidenteve në vend. Një prej këtyre masave ka të bëjë edhe me ‘testin e idiotit’ për sjelljen e përdoruesve të rrugës”.

“Do të thosha që takimi ka një rëndësi të madhe dhe është vetëm hapi i parë i një përpjekjeje fillestare për të nxitur një diskutim të madh i cili do të vijojë gjatë gjithë vitit 2020 në kuadër të vitit të sigurisë rrugore. Përgjatë 10 viteve të fundit kemi një rënie vazhdueshme të aksidenteve dhe pasojave fatale të aksidenteve rrugore. Një rënie prej 40%. Ky është një lajm i mirë por ka dhe një lajm të keq që vetëm në 2018 kemi humbur jetën e 227 qytetarëve shqiptarë në rrugët e vendit, shifër e cila është pothuajse 5 herë më e lartë se shifra e të vrarëve që shkakton krimi në Shqipëri. Gjithë kriminaliteti në vend sjell rreth 50 të vrarë në vit, edhe kjo në rënie drastike në raport me vitet e kaluara por gjithsesi është një numër i madh qytetarësh shqiptarë që humbin jetën dhe ky numër nuk mund të pranohet. Ne sot jemi këtu pikërisht për t’u marrë me këtë lajmin e keq që kemi shumë të vrarë në rrugët e vendit dhe ky numër duhet të ulet në mënyrë të vazhdueshme dhe po ashtu duhet të ulet dhe numri i aksidenteve dhe dëmeve të tjera që sjell mosrespektimi i rregullave në rrugë, plagosje e dëme pafund materiale. Diskutimi që fillojmë sot është pjesë e programit të rëndësishëm të aktiviteteve që ne kemi planifikuar të zhvillojmë me qëllim përfshirjen e aktorëve në këtë proces të rëndësishëm diskutimi, qoftë autoriteteve shtetërore, ekspertëve, shoqërisë civile, medias, publikut të gjerë me qëllim hartimin e një pakete të plotë masash të cilat do të adresojnë problematikën që kemi në qarkullimin rrugor.

Paketa parashikohet që të ndërhyjë në shumë aspekte. Unë po listoj disa gjëra që kemi menduar ne deri tani. Sigurisht që kjo do të plotësohet përmes kontributeve të të gjithë aktorëve që kemi ftuar këtu apo dhe publiku për të cilin do të ndërtojmë platforma komunikimi edhe përmes mediave elektronike në mënyrë që të mbledhim sa më shumë impute nga të gjithë të interesuarit, të gjithë qytetarët por edhe nga ekspertët dhe profesionistët e fushës”, deklaroi Lleshaj.

Së pari, ai tha se synohen ndërhyrje të rëndësishme në kodin rrugor, aktet e tjera ligjore e nënligjore që merren me çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e qarkullimit rrugor.

“U përmend celulari. Mbetet një burim shqetësues aksidentesh në rrugët e vendit dhe duhet po ashtu të merren masa për ta kufizuar, mundësisht ndaluar rreptësisht përdorimin e tij gjatë drejtimit të automjetit. Alkooli po ashtu meriton prapë vëmendje të re për arsye se prapë raste.
Ende persiston një lloj sjellje, agresive, e papranueshme, shpejtësi, gara e të tjera me radhë. Kujdesi ndaj fëmijëve që udhëtojnë në mjetet tona ka shumë sjellje unikale. Fëmijë që mbahen në prehër nga drejtuesi i mjetit, që mbahen në sedilen e parë. Fëmijë që janë në sedilen e pasme por janë të papajisur me karriget e posaçme që duhet të kenë fëmijët, ashtu siç ndodh në çdo vend të BE-së. Edhe fëmijët tanë duhet t’i nënshtrohen të njëjtës mbrojtjeje. Sjellja agresive në rrugë është një fenomen në rrugët e Shqipërisë që bie në sy. Presioni ndaj atyre që ecin normalisht që ruajnë shpejtësinë. Ata që duan të tejkalojnë shpejtësinë bëjnë presion tek ata që duan të ecin normalisht, juanë sjellje të rrezikshme që në BE dënohet shumë ashpër madje arrin në kufijtë e penales kjo lloj sjelljeje që i turresh tjetrit me centimetra distancë për ta detyruar ose të shmanget ose të rrisë shpejtësinë. Çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë kategori sjelljesh do të adresohen në ndryshimet e reja në Kodin Rrugor të RSH.
Rritja e përgjegjshmërisë dhe aftësive për përdoruesit e rrugës. Ne kemi përdorues të rrugës që nuk e meritojnë lejen e drejtimit që kanë dhe rritja e përgjegjshmërisë të përdoruesve të rrugës duke përfshirë nga drejtuesit e automjeteve tek qytetarët kërkon një program të gjerë masash që do të përfshijë edukimin në shkolla, teste të vazhdueshme. Ka ardhur koha të mendojmë për testet psikologjike, të cilat në rastet e drejtuesve që nuk sillen në përputhje me normat ligjore por nganjëherë tejkalojnë dhe disa norma të tjera të sjelljes në rrugë, ka ardhur koha edhe për testet psikologjike që tentojnë të verifikojnë stabilitetin e sjelljes së tyre. Në hapësirën gjermanike quhet ‘testi i idiotit’ që bëhet rëndomtë kur dikush sillet në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë dhe para se t’i rijepet mundësia për ta rimarrë lejen e drejtimit, duhet të provojë që është stabël në pikëpamje të sjelljes”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Sipas tij, teknologjia do jetë pjesë e sigurisë rrugore. “Përdorimi i teknologjisë moderne në përmirësimin e rezultateve të sigurisë rrugore pjesë e rëndësishme e punës për modernizimin e Policisë së Shtetit. Në këtë funksion do të jenë dhe targat inteligjente”-, tha Lleshaj.

Një tjetër element i prekur nga Ministri i Brendshëm ishte dhe kufizimi i elementeve të krimit në rrugë. “Vrasjet mafioze ndodhin me mjete të vjedhura më së shumti. Do ta kufizojmë këtë, me targat e reja që të mos bëhet në dy mjete. Ta kufizojmë hapësirën për të përdorur makinat si armë. Mjetet e blinduara janë në përdorim masiv të krimineleve dhe kjo nuk do të tolerohet.”-, tha Lleshaj.

Ai tha se do ketë akreditime për auto-shkollat. “Një aspekt tjetër është marrja e masave për të rritur përgjegjësinë e auto-shkollave.

Nuk është vetëm thashethem, por në shumë raste auto-shkollat nuk plotësojnë detyrat për të trajnuar një shofer të aftë. Do gjejmë mënyra për këto auto-shkolla, që të jenë më të përgjegjshme për nxënësit që nxjerrin, do të kërkojmë akreditimin e tyre”-, theksoi Lleshaj.

“Duhet të ndërtojmë instrumente të përshtatshme për trafikun rrugor ti monitorojmë të koordinojmë. Pushteti vendor të futet më mirë në këtë drejtim. Semafori është një “dukuri” vetëm në Tiranë, pasi në Shqipëri nuk ka semaforë përveç se në kryeqytet.

Ka ardhur koha të investojmë në këtë fushë dhe të shtrimë semaforët edhe në qarqet e tjera të mëdha. Në fund të muajit shkurt do të kemi një tryezë tjetër në vijimësi të kësaj”-, tha Lleshaj.

Loading...