Vizita e Vjosa Osmanit në Tiranë, Rama: Erdhi për të bërë propagandë për të marrë vota në Kosovë

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar qëndrimin e Vjosa Osmanit gjatë vizitës së saj 3 ditore në Tiranë. Gjatë një konference të përjavshme, Rama u shpreh se Osmani erdhi në Tiranë për të bërë propagandë në mënyrë që të fitonte vota në Kosovë.

Duke iu referuar 2 çështjeve që prekur dhe Osmani gjatë deklaratave në Shqipëri, atë të traut mes 2 vendeve dhe Minishengenit Ballkanik Rama thotë se prej disa kohësh në Kosovë, politika e brendshme është bërë politikë e jashtme.
Së fundmi Rama u shpreh se deklaratat e Presidentes në detyrë të Kosovës ishin jo dashamirëse dhe se lufta diplomatike bëhet me mjete të tjera.

“Objektivi ynë është 0 probleme me fqinjët. Kjo nuk do të thotë fshehje të problemeve por zerim. Në këtë rast nuk është se kemi probleme me Kosovën. Politika e brendshme është bërë e jashtme dhe anasjelltas. Kjo e ka rraskapitur Kosovën. E shoh me shumë shqetësim dhe e kam adresuar në mënyrë konstante. Është një problem që e shoh me shumë shqetësim e kam adresuar në mënyrë konstante në të gjitha bisedat e mia me udhëheqësit në Kosovë. Jam përpjekur edhe publikisht pa dashur të rëndoj askënd. Është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj Shengenit rajonal ku një nga shtylla e politikës së jashtme që ka të bëjë me politikën rajonale është bërë si kalaja e Rozafës në Kosovë. Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime të firmosin vullnetin e shtetit të Kosovës në shtëpinë e Bardhë për shengenin dhe një presidente në detyrë shfaqet në Shqipëri të bëjë politikë të brendshme me këtë. Akoma më grotesk është debati për traun. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi për Kosovën. Kjo është të bësh politik të brendshme me një çështje administrative të vendit fqinj. Dhe vjen në Tiranë për të bërë propagandë për të fituar vota në Kosovë. Është jo dashamirëse. Nëse për Vjosën atdheu është Kosova dhe Shqipëria, atëherë ky është një tra që të gjithë atdhetarët duhet ta paguajnë. Faktet flasin qartë, ka pësuar ndryshim thelbësor falë investimeve që po bëhen në atë rrugë. Këto janë 2 pika që flasin qartësisht për një sëmundje që e ka prekur dhe po e gërryen politikën në Kosovë duke bërë një alterim të funksioneve politike të brendshme me ato të jashtme. Lufta diplomatike bëhet me mjete të tjera dhe Facebooku, Instagrami nuk zëvendësojnë pushkët. Lëndojnë dhe plagosin vetëveten. Nuk plagosin kundërshtarin. Me atë formë kurrë nuk do e kishim hapur linjën e energjisë Shqipëri – Kosovë” – tha Rama.

Vjosa Osmani zhvilloi një vizitë 3 ditore në Tiranë nga 16-18 dhjetor ku u takua me krerët e lartë të politikës në vend. Gjithashtu ajo mbajti një fjalim dhe nga foltorja e Kuvendit gjatë një seance parlamentare që po zhvillohej më datë 17 dhjetor.

Gjatë qëndrimit të saj në kryeqytet, ajo preku 3 çështje kryesore, bashkimin e Shqipërisë me Kosovën në miratimin e një rezolute që dënon gjenocidin serb në Kosovë, minishengenin ballkanik dhe traun e vendosur mes 2 vendeve.

Loading...