Zv.kryeministri Erion Braçe ftoi sot qytetarët që të vizitojnë Divjakën, e cila tashmë përbën një destinacion të preferuar jo vetëm për natyrën, por edhe prodhimet vendase.
“E Diell. Unë them përsëri; Shkoni në Divjakë! Natyrë, diell, ajër, pyll, zogj, pelikanë, det, lagunë, perime të freskëta, ushqim i mirë dhe i gatuar krejt ndryshe! Të gjitha në një”, është shprehur Braçe.
“Ndaloni në hyrje të parkut dhe bëni guida turistike me varka nëpër kanalet e unike të parkut, merrni pedonalen e drunjtë për të shkuar në qendër të parkut, nga aty me biçikleta mund të hyni në shtigjet natyrale të parkut, edhe në këmbë është po aq bukur, hipni tek Kulla 360 G”, ka theksuar ai.
“Qëndroni për një drekë në natyrë në restorantet e vendasve, makaronat e Tiranës i hani në Tiranë. Guzhina e vendasve me perime dhe peshk, gaforre e ngjala të freskëta është unike”, ka nënvizuar Braçe.
“Mos harroni, kur të ikni, blini perime në të dalë të qytetit, në krahun e majtë, në tregun e madh të xhaxhi Minait; Do i blini me tre herë më lirë se në qytetin tuaj, pa frikë!”, ka shtuar Braçe.
“Një lutje kam; Ruani distancën fizike! Do merrni vitaminë D pafund në Divjakë, por sërish duhet të mbrohemi, distancimi fizik dhe higjena janë kyçi!”, ka përfunduar zv. kryeministri, Erion Braçe. /atsh