Vjedh gjela, raki dhe vaj ulliri/ Pendohet i dënuari: Premtoj që nuk e bëj më

Një i moshuar pa të thyer dritaren e tualetit dhe menjëherë u bind se nuk bëhej fjalë për një aksident. Kur hyri brenda në shtëpi, e kishin bastisur. 70-vjeçari L.K., tregoi në komisariatin numër 6 në Tiranë se hajdutët kishin marrë me nxitim ç’kishin mundur.

“Jam këtu, sepse dua të deklaroj çfarë më kanë vjedhur në shtëpinë në Pezë Helmës, ku përfshihet një pompë uji, lavamani dhe kameran e sigurisë. Nuk kam asnjë dijeni se kush mund ta ketë bërë vjedhjen, por nuk kam asnjë konflikt me askënd dhe as kam debatuar me asnjë”. Ndonëse i moshuari përgjigjet mbi pyetjet që i shtrojnë agjentët e krimeve, këta të fundit janë të qartë se dhjetori, veçanërisht është muaji i hajdutëve që nxitojnë të vjedhin zakonisht shpendë, viça, dhurata apo ushqime.

Të njëjtën gjë denoncoi edhe një grua në rrugën “Petro Cani”. Gruaja u ankua pranë komisariatit numër 4, që sapo pa rrëmujën dhe sendet përmbysur, nxitoi të telefonojë policinë. “Të gjitha rrobat ishin të dala nga dollapi dhe të gjitha sendet të hedhura përtokë”,- tregon G.C. Gruaja doli nga shtëpia rreth orës 13.

“E mbylla derën duke rrotulluar çelësin dy herë, kur u ktheva në darkë, dera ishte e haur dhe u çudita, pasi bëj shumë kujdes nga hajdutët. E mbyll përherë derën, pasi jetoj vetëm dhe shtëpia është në pronësinë time. Në këtë shtëpi jetoj prej 13 vitesh.

E habitshmja është që lekët i kanë lënë në vend, në një shumë prej 130 mijë lekë të vjetra, 170 euro, 70 dollatë dhe 20 paund. Ata kanë vjedhur vetëm 4 varëse floriri, 3 varëse argjendi dhe një byzylyk, që nuk ka asnjë vlerë. Gjithashtu nga shtëpia kanë marrë dhe një valixhe në ngjyrë kafe me mbishkrimin LV”.

Për policinë, denoncime të vjedhjeve të banesave janë më të zakonshmet, kurse më specifiket që lidhen me sezonin dhe të vjelat, janë sërish vjedhjet e shpendëve që sipas policisë kanë lidhje me konsumin dhe porositë e qytetarëve për të festuar fund vitin.

Çfarë vidhet në dhjetor?

Në periferi, të zakonshmet janë prodhimet e stinës, si vaj ulliri, fasule dhe raki dhe gjeli i detit. Në Tiranë vidhet çdo gjë, duke nisur nga kuleta, telefonë, biçikleta deri tek doreza dyersh, kapakë pusetash dhe vazo lulesh të mbjella që hidhen në tregun e mallrave të përdorura dhe shiten për pako gjë.

Jo pak here, Gazetasi.al ka shkruar, duke përmendur histori dhe fenomene në fushën e vjedhjeve në Tiranë, zakonisht fëmijë që vjedhin biçikleta, deri tek “lupenë” që kanë përfunduar të arrestuar, por nuk kanë ndryshuar, ata sërish vjedhin. Kur Lirim.C., banues në rrugën “Hamdi Cenojmeri” përshkroi karekteristikat e biçikletës së tij në polici, ai tha: “Biçikleta ime ka mbishkrimin kampion, tipi 28 në ngjyrë bizele”, agjentët bënë të njëjtin veprim rutinë si me çdo qytetar.

Ata shkruan në procesverbalë se biçikleta kishte frena të zakonshme me zgarë nga pas me ngjyrë të zezë. Por shpresa e tyre se do ta gjenin sendin e vjedhur, ishin krejt e vakët. Megjithatë, ata dëgjuan të moshuarin që kishte bërë hetuesin përrreth zonës ku mbante lidhur biçikletën që deklaron, se “fëmija ishte i veshur me pantallona të shkurtra, e ka zgjidhur biçikletën time dhe duke qeshur, u ka thënë banorëve mirupafshim”. Por shumica e hajdutëve në kryeqytet, identifikohen nga kamerat e sigurisë, kurse në fshat, ka patur raste si ai i një hajduti pulash që iu kontrollua frigoriferi, që hajdutët zbulohen nga banorët.

Hajdutë që vazhdojnë dhe vjedhin L.Shabani është 30 vjeç nga Tirana dhe gjendja e tij gjyqësore ka thyer rekorde, i cili rezulton 12 herë i dënuar. Për ngjarjen e fundit ndaj tij, prokuroria kërkoi 3 vjet burg dhe i riu dëshmoi në gjykatë: “E di, e kam tepruar, por e kam bërë nga kushtet e vështira ekonomike, jam beqar dhe jam pa punë. Premtoj që nuk do ta përsëris më”, -tha ai para gjykatës.

Hajduti-serial u tradhëtua nga kamera sigurie, duke hyrë në një dyqan fruta perimesh dhe pasi mori paratë, i zoti i dyqanit u vu në kërkim të tij. Ngjarjet e tjera ishin në sirtarë, të denoncuara midis tyre nga një shtetas që shet celularë, nga një qytetar tregtonte pjesë këmbimi dhe teksa po fliste me një klient, i dyshuari e pyeti a tregëtonte bullona. “Mora fshirëset e xhamave për t’ja shitur kilentit të parë dhe kur u ktheva, klientin e bullonave nuk e gjeta aty”, – tregoi në gjykatë denoncuesi, që sakaq kishte konstatuar se i panjohuri i kishte marrë dy telefonat celularë që i kishte lënë në brendësi të banakut.

Duke pranuar gjykimin e shkurtuar, gjykatësi theksoi gjatë shpalljes së vendimit për fajësi se, “gjykata mban në konsideratë se ai është përsëritës specifik dhe gjenerik”, duke e dërguar atë në burg, që e veçuan këtë rast si një nga më të veçantat të hajdutëve që vjedhin për shkaqe ekonomike. Më vodhën rakinë, më vodhën portofolin “Unë kam hipur në automjetin tim dhe papritur në ‘Rrugën e Dibrës’ ndjeva se më mungonte portofoli”. Kështu e nisi rrëfimin një i ri nga Pogradeci me inicialet E.B., që jeton në Tiranë.

“Në portofol kisha 39 mijë lekë të reja, kam pasur kartën e identitetit, kartën e bankës, lejen e drejtimit të automjetit si dhe certifikatën e vaksinimit”, – thekson i riu, i cili i kujton policisë numër 3 se kontrolloi gjithandej në makinë, por nuk e gjeti. “S’kam ndonjë ide ku më kanë vjedhur, nëse kjo ndodhi në lokal , apo kur po hipja në makinë, apo nëse më ka rënë, por meqë nuk po arrij ta gjej, kërkoj të ma gjeni ju”, – thotë kallëzuesi.

Histori të hidhur kanë treguar në polici dhe shtetasit T.G., të cilit i vodhën vajin e ullirit dhe e zonja e shtëpisë, me inicialet M.N., që i vodhën rakinë. Policia e komisariatit numër 1, referon: “Menjëherë sapo është marrë njoftimi se persona të paidentifikuar kishin prerë zgarat e dritares në bodrumin e shtetases M.N., në rrugën ‘Andon Zanoni’, u shkua menjëherë në vendngjarje” .

Rasti, ishte tamam siç gruaja e kishte treguar në polici. I kishin vjedhur një bidon me raki. “Autorët kanë hyrë nga dritaret e bodrumit dhe kanë arritur të marrin një bidon të mbushur me raki, – tregon gruaja. – U zgjova në mëngjes dhe vura re që njëri nga hekurat e dritares ishte shtrëmbëruar, kurse tjetri ishte prerë. Zbrita në bodrum dhe zbulova që kishin vjedhur vetëm rakinë”.

Policia e pyet se sa litra ishte bidoni dhe ajo përgjigjet: “Bidoni ishte plastik dhe ishte i mbushur me 15 litra raki. Autorët nuk kanë vjedhur asgjë tjetër përveç rakisë!”. Policia shkruan se për rastin e produkteve të vajit dhe rakisë, nuk kanë gjetur asnjë gjurmë dhe as një shenjë të hajdutëve.

Loading...