Vjen reagimi i parë nga pala ruse pas bisedimeve me delegacionin ukrainas

Ka përfunduar raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet një delegacioni nga Rusia dhe Ukraina në Bjellorusi, tha kreu i delegacionit rus Vladimir Medinsky për mediat ruse dhe të dyja palët kanë rënë dakord për korridoret humanitare për civilët.
“Ne kemi diskutuar tërësisht tre pika – ushtarake, ndërkombëtare dhe humanitare, dhe e treta është një çështje e një rregullimi politik të ardhshëm të konfliktit. Të dy pozicionet janë të qarta dhe të shkruara. Arritëm të biem dakord për disa prej tyre, por gjëja kryesore për të cilën arritëm një marrëveshje sot ishte çështja e shpëtimit të civilëve që u gjendën në një zonë përplasjeje ushtarake.

Ministritë ruse dhe ukrainase të mbrojtjes ranë dakord për sigurimin e korridoreve humanitare për civilët dhe për një armëpushim të mundshëm të përkohshëm në zonat ku po ndodh evakuimi”, tha Medinsky për mediat.
Bisedimet zgjatën dy orë e gjysmë.

Ndërkohë, një negociator ukrainas tha të enjten se bisedimet nuk dhanë asnjë rezultat që i nevojitej Ukrainës, por ai tha se ekziston një “zgjidhje vetëm për organizimin e korridoreve humanitare”.

“Rundi i dytë i negociatave ka përfunduar. Fatkeqësisht, rezultatet që i duhen Ukrainës nuk janë arritur ende. Ekziston një zgjidhje vetëm për organizimin e korridoreve humanitare,” tha zyrtari i lartë ukrainas Mykhailo Podolyak në një postim në Twitter.

Një tjetër anëtar i delegacionit rus, Leonid Slutsky, tha për Russia24 se të dyja palët kanë rënë dakord për raundin e tretë të bisedimeve, i cili do të ndodhë në “të ardhmen më të afërt”.

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se raundi tjetër i bisedimeve do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.

Loading...