Vladimir Putin njofton vendimin e fundit

Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20 të liderëve botërorë në Bali javën e ardhshme.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të udhëheqë delegacionin rus në samiti, mbledhja e parë e liderëve të ekonomive më të mëdha në botë që kur Putin filloi luftën e tij në Ukrainë.

Ambasada e Moskës në Indonezi i tha agjencisë së lajmeve AFP se programi i Putinit ishte “ende duke u përpunuar” dhe udhëheqësi rus mund të merrte pjesë virtualisht në samit.

Një zyrtar i qeverisë indoneziane i tha më herët agjencisë së lajmeve Reuters se Lavrov do të përfaqësonte Putinin dhe presidenti rus do t’i bashkohej një prej takimeve të samitit virtualisht.

Presidenti indonezian Joko Widodo në fillim të kësaj jave i tha Financial Times se kishte një “përshtypje të fortë” se udhëheqësi rus do ta anashkalonte mbledhjen.

Samiti i G20, i cili mbledh së bashku liderët e 19 vendeve dhe Bashkimit Evropian, pritet të ketë në fokus pasojat e luftës në Ukrainë, e cila ka nxitur mungesat globale të ushqimit dhe karburantit.

Indonezia, mikpritëse e samitit, ka refuzuar thirrjet e vendeve perëndimore dhe Ukrainës për të përjashtuar Rusinë, duke u zotuar të ruajë neutralitetin dhe të nxjerrë në pah potencialin për bashkëpunim në sigurinë ushqimore dhe energjetike.

Widodo është ankuar për tensionet gjeopolitike që rrethojnë samitin, për të cilin ai ka thënë se supozohet të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe “nuk është menduar të jetë një forum politik”.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar, 16 anëtarë të G20 mbështetën një rezolutë që dënonte tentativën e aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës lindore nga Moska, shkruan Al Jazeera.

Anëtarët e G20-ës Kina, India dhe Afrika e Jugut abstenuan në votim, ndërsa Bashkimi Evropian nuk përfaqësohet në organin e OKB-së.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili gjithashtu është ftuar në samit, tha më parë se nuk do të merrte pjesë nëse Putini do t’i bashkohej tubimit.

Presidenti kinez Xi Jinping dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden janë ndër liderët botërorë që pritet të udhëtojnë në Bali.

Loading...