Duka jehonë arritjeve të Vllaznisë
Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë. Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija.
Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë. Në FSHF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë. E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë.
Futbolli i femrave, i kërkuar nga UEFA
UEFA dhe FIFA i kushtojnë shumë rëndësi futbollit të femrave dhe japin goxha fonde për vendet si Shqipëria që të shtrojnë futbollin në këtë gjini. Për ta përmbushur objektivin dhe për të rritur pjesëmarrjen, nisur dhe nga projektet financiare që ka përfituar nga UEFA e FIFA, Shqipëria ka detyruar klubet nëpërmjet vendimeve ekzekutive që të ngrenë skuadër femrash dhe ky madje ka qenë një detyrim i panegociueshëm për ekipet e Superligës.
Por ka dhe plot ekipe private si dhe ekipe femrash në kryeqytet që kanë pasur progres. Apolonia, Tirana e disa të tjera kanë njohur rritje, por dominimin e ka patur padyshim Vllaznia, skuadër që ka mundur jo vetëm të dominojë kampionatin, por edhe të luajë me dinjitet e sukses në Europë.