Nga Sejmen Gjokoli
KA PLAZH POR, KA DHE ORIK…
Natyra i ka të gjitha, ka edhe diellin po ka edhe shiun.
Dhe, kuptohet, kur je në plazh e bie shi të duhet edhe të mërzitesh e shqetësohesh…
Por kjo nuk duhet të ndodhë kur je në Vlorë.
Se, vërtet Vlora ka plazhe të bukura por ka edhe Parqe Arkeologjike e Monumente kulture të mrekullueshme të cilat janë të favorshme për tu vizituar, sidomos në ditë të tilla.
Si po ndodh edhe sot në Parkun e Orikut ku pushues të shumtë, në pa mundësi për t’ju drejtuar detit, i janë drejtuar Parkut për ta vizituar.
Unë erdha me Sadikun, për shumë vite me radhë një nga punonjësit emblemë të këtij Parku, ndërkohë që na mrekulloi prezenca e mjaft vizitorëve, vendas por edhe të huaj.
Takuam Hysen Habilin, punonjësin aktual të parkut, dhe e uruam për një mbarëvajtje sa më të mirë edhe në këtë vit të vështirë shëndetësor i cili jo pak i ka penalizuar sitet dhe asetet e shumta të trashëgimisë kulturore.
E rëndësishme që Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë është përherë e gatshme të pres e përcjellë vizitorë dhe admirues të pasurive të trashëgimisë kulturore.