3 persona kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës përgjatë 24 orëve të fundit.
Këta persona akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Një nga të arrestuarit është Mariglen Fejzaj 30-vjeç banues në fshatin Çeprat, Vlorë.
Ai është prangosur për veprën penale për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”. Sipas policisë ky person në fshatin Llakatund të Vlorës nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij, iu gjet e fshehur një sasi lënde narkotike prej 220 gramë e llojit kanabis çokollatë.
I ndaluari i dytë është Gj.E., 38 vjeç, banues në Vlorë i cili ishte shpallur në kërkim. Akuza që rëndon mbi këtë person është “Dhunë në familje” për të cilën Gjykata e ka dënuar me 1 vit burgim.
I treti i arrestuar është D.P., 37 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tij u bë në aksin rrugorë “Pavarësia” Vlorë pasi ky person u kap duke drejtuar mjetin motor pa targa dhe pa leje drejtimi përkatës.