Më shumë se një muaj nga ngjarje e rëndë në Vlorë, ku nipi vrau gjyshin, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të shpallur në kërkim.
Bëhet fjalë për dy të rinj me iniciale R.L 23 vjeç dhe Xh.H., 16 vjeç, të cilët ishin shpallur në kërkim.
Policia thotë se “23-vjeçari dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët për shitjen e armës së krimit në lidhje me ngjarjen e 27 Shkurtit, ku si pasojë nipi vrau me armë gjyshin e tij.”
Ndërsa 16-vjeçari u arrestua mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Vlorës, e cila ka dënuar atë, me 1 vit e 6 muaj burgim për vjedhje në bashkëpunim.
Ngjarja ndodhi ne Vlorë me 27 Shkurt dhe ishte një ngjarje që dyshohet e planifikuar. Viktima dhe autori mbanin emrin Vangjel Kapllani, por adoleshenti njihet edhe me emrin Anxhelo.
Ata jetonin bashkë prej vitit 2004, kohë kur adoleshentit i vdiqën në aksident prindërit në Greqi.
Adoleshenti e kreu krimin me një pistoletë të cilën e kishte blerë tek tre persona të tjerë të cilët tashmë janë arrestuar, ndërsa kreu një sërë veprimesh për të fshehur vrasjes.
17-vjeçari njoftoi policinë se gjyshin e kishte gjetur të dhunuar në banesë, ndërsa denoncoi edhe vjedhjen e rreth 1 milion lekëve.
Për të përforcuar alibinë doli edhe intervistë në media.
Por skenari i mbulimit të krimit nuk zgjati më shumë se katër orë.
Për shkak të dëshmive kontradiktore, hetuesit ngritën dyshime për krim në familje të cilin e provuan mbi bazë të tabulateve.
Pak kohë më parë adoleshenti i njohur si Anxhelo kishte blerë një pistoletë dhe mbi këtë provë është dorëzuar përballë hetuesve.
Para grupit hetimor më pas pranoi vrasjen.
Marrëdhënia e tensionuar nuk ishte evidentuar nga fqinjët, të cilët shprehen të tronditur nga krimi dhe tentativa për ta fshehur.