Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, krahas punës së pandërprerë për monitorimin dhe zbatimin e masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për goditjen e paligjshmërive, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar.
Në kuadër të procedimit penal nr. 12 të vitit 2017, shërbimet e seksionit të narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e tjera mbështetëse pranë DVP Vlorë, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim A. C., 24 vjeç, banues në Vlorë.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas dyshohet të jetë implikuar në ngjarjen e ndodhur më 13 janar 2017, në Ankona të Italisë, ku është kapur një sasi e konsiderueshme lënde narkotike marijuanë prej 2 ton e 530 kg.