Vlorë – Drejtoria Rajonale e AMP Vlorë arrestoi në flagrancë një punonjës policie të repartit Delta Forcë, si të dyshuar për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Më datë 29.04.2022, rreth orës 18:55, në lagjen “10 Korriku”, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se punonjësi i policisë, Inspektor L.M., ka qëlluar me armë zjarri pistoletë (armën personale të punës) ndaj shtetasit J. T., i cili ka qenë duke drejtuar mjetin tip Benz. Nga të shtënat nuk ka patur të dëmtuar, ndërsa shtetasi J.T. është larguar nga vendngjarja duke braktisur mjetin.
Menjëherë pas marrjes dijeni nga salla operative, nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm, është krijuar grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet hetimore proceduriale në vendngjarje, ku janë sekuestruar; – një armë zjarri e llojit pistoletë – 7 gëzhoja 9 mm, të cilat dyshohen se i përkasin armës së punonjësit të policisë, L.M. – 3 fishekë, model 54 – mjeti tip Benz Mercedez – pamjet filmike nga kamerat e ambjenteve në zonën ku ka ndodhur ngjarja Ndaj punonjësit të policisë, Inspektor L.M. është vendosur masa e arrestit në flagrancë dhe materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë për kryerjen e veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, parashikuar nga Nenet 76 e 22 të Kodit Penal. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90
Lisi Myrtaj, efektivi i policisë i cili u përfshi në një konflikt me armë mbrëmjen e djeshme me Juxhino Todin në Vlorë është arrestuar.
Burime nga policia bëjnë me dije Lisi Myrtaj, punonjës policie i repartit Delta Forcë, u arrestua për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Mbrëmjen e djeshme (29.04.2022) rreth orës 18:55, në lagjen “10 Korriku”, pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësi i policisë, Inspektor Lisi Myrtaj, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë (armën personale të punës) ndaj shtetasit Juxhino Todi, i cili ka qenë duke drejtuar mjetin tip Benz, informon policia.
Nga të shtënat nuk ka patur të dëmtuar, ndërsa Juxhino Todi (djali i kryeplakut të Kaninës) është larguar nga vendngjarja duke braktisur mjetin.
Dyshohet se konflikti ka nisur pra disa ditësh për motive të dobëta për punë të një vajze.
Çfarë u gjet në vendin e ngjarjes
Pas veprimeve hetimore proceduriale në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri e llojit pistoletë, 7 gëzhoja 9 mm, të cilat dyshohen se i përkasin armës së punonjësit të policisë, Lisi Myrtaj, 3 fishekë, model 54, mjeti tip Benz Mercedez dhe pamjet filmike nga kamerat e ambjenteve në zonën ku ka ndodhur ngjarja.
Çfarë dëshmoi efektivi Lisi Mytyaj
Në dëshminë e zbardhur nga News 24 efektivi i Policisë, Lisjan Myrtaj, i cili është dorëzuar vet përpara kolegëve të tij ka dhënë një version tjetër nga çfarë është folur deri tani. Ai është shprehur se ka patur më parë një debat me Juxhin Todi (Aliraj).
Efektivi i Policisë ka deklaruar se kur ka dalë nga shtëpia, ka parë makinën e Juxhinit i cili sapo e ka parë i ka drejtuar armën duke e ofenduar dhe e ka shkrepur dy herë.
Sipas tij, kjo ka bërë që ai të reagojë për vetëmbrojtje duke goditur në drejtim të makinës. Ai ka telefonuar sallën operative 3 herë dhe është vetdorëzuar duke deklaruar se ka goditur për vetëmbrojtje jashtë derës së shtëpisë së tij.
Aliraj i cili ndodhej në fuoristradën ML nuk është kapur ende nga ana e policisë ndërsa sipas efektivit të Deltës, kur i ka shkuar Juxhini te shtëpia, ai ka qenë i vetëm. Motiv i debatit sipas burimeve ka qenë akuza e Juxhinit se efektivi i policisë i kishte parë të dashurën më parë.