Për të ofruar një guidë të mirëfilltë të qytetit dhe atraksioneve të tij, DRKK Vlorë e nis këtë vit me një broshurë e cila i shërben këtij qëllimi. Në këtë guidë turistët vendas dhe të huaj do të gjejnë pikat më të rëndësishme turistike të cilat duhet të vizitohen nga të gjithë.
Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizëm.
Gjithashtu plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen gjatë sezonit veror nga pushues të shumtë.
Ajo mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.
Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.
Mirëadministrimi i këtyre pasurive natyrore që qyteti bregdetar ofron krijon të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj. /ATSH/