Bashkimi Europian mbështet bashkëpunimin rajonal për pakësimin e nivelit të ndotjes, të shkaktuar nga emetimi i dioksidit të karbonit(CO2) në atmosferë në sektorin e transportit detar.
Një projekt, që ka filluar të implementohet në Vlorë, ka bërë bashkë disa vende të rajonit mes të cilëve Itali, Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Greqi, Serbi, Bosnje Hercegovinë, Mali i Zi, të cilat janë angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për shqetësimet që krijohen në këtë sektor.
Projekti SHIPMENTT, që po implementohet nga Agjencia e Zhvillimit Ekonimik Lokal, AULEDA, në kuadër të Programit ADRIJON, financuar nga BE, ka si synim të krijojë një network ndërkombëtar në fushën e transportit detar, ku do të përfshihen vendet e sipërpërmendura.
Kjo do të jetë pjesë e një pune në vijimësi që nis me identifikimin e trendeve në planin mikro dhe makro në sektorët e teknologjisë, inovacionit, sigurisë dhe mjedisit, në lundrimin detar, analizën SWOT per sistemin e trasportit detar shqiptar, krijimin e një “data base” i aktorëve në territor, intermediarë, kërkim shkencor dhe teknologjik, klastera dhe SME-të që operojnë në sektorin detar dhe më tej, orientimin në gjetjen dhe propozimin e zgjidhjeve konkrete, përmes harmonizimit të punës të të gjithë faktorëve të sipërpërmendur.
Gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin Maribor(Slloveni), me të gjithë partnerët nga vendet pjesëmarrëse në këtë projekt, u nënvizua se, ka nisur prosesi i identifikimit të aktorëve në territor, duke i ndarë ata në 4 kategori kryesore dhe ku përfshihet edhe politika, si mjedisi ku hartohen dhe përcaktohen politika për sektorin e detarisë dhe transportin detar.
Mirela Koçi, drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Ekonimik Lokal, AULEDA, thotë se, aktualisht po punohet për të identifkuar intermediarët(subjektet që ofrojnë shërbime për bizneset e sektorit detar, në rritje kapacitetesh, në marketing, në studime tregu),si dhe po punohet me universitete të ndryshme në vend dhe institutet e kërkimit shkencor për të zhvilluar punime shkencore në funksion të reduktimit të emetimit të CO2.
“Paralelisht me këtë po identifikohen edhe klasterat dhe SME-të që operojnë në sektorin detar dhe po hartohet një “data base” për to, me synimin për të identifkuar qartësisht çfarë nevojash kanë ato nga intermediarët, apo nga institucionet e kërkimit shkencor, si mund t’u shërbejnë universitetet, apo qendrat teknologjike për zgjidhjen e problemeve të tyre, me synimin final, realizimin e “green shipping”, ose “Lundirmi i gjelbër”, me sa më pak ndotje, me sa më pak emetim të karbonit në hapësirën detare”, sqaron Koçi.
Aktualisht, puna ka nisur me disa studime shkencore që lidhen me përdorimin e materialeve të avancuara, në prodhimin e mjeteve detare. Këto materiale, të emërtuara ndryshe “kompozite”, më të lehta se ato tradicionale si çeliku, garantojnë zvogëlimin e fuqisë motorrike në mjetet detare e, për rrjedhojë edhe pakësimin e nivelit të emetimit të karbonit(CO2), në atmosferë.
Gjatë këtij sezoni veror u rrit në mënyrë të ndjeshme numri i anijeve turistike në gjirin detar të Vlorës, prej të cilave, vetëm dy ishin prodhuar me materiale të lehta.
Sipas ekspertëve, mjafton ky tregues për të përcaktuar domosdoshmërinë e implementimit të zgjidhjeve, që do të ndryshojnë raportin dhe zgjerimin e përdorimit të materialeve kompozite në prodhimin e mjeteve turistike detare, që do të jenë miqësore me mjedisin.
Në këtë këndvështrim, projekti synon që përveçse të përcaktojë situatën aktuale në nivelin e ndotjes me CO2, në atmosferë, si pasojë e transportit detar, në vendet e përfshira në këtë projekt, por edhe të punojë për të ofruar zgjidhje të përbashkëta, të cilat përfshijnë nxitjen dhe ndërgjegjësimin e bizneseve, që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me transportin detar për të rritur shkallën e përdorimit të materialeve që janë miqësore me mjedisin.
Nga ana tjetër, do të punohet të nxitet i njëjti trend edhe tek subjektet që ofrojnë shërbime në mjediset portuale, apo angazhimin e intermediarëve për plotësimin e nevojave të subjekteve respektive në funksion të të njëjtit qëllim. Për të shkuar edhe në gjetjen e zgjidhjeve konkrete dhe në hartimin e propozimeve për aktorët politikë në nivel qendror, për të ndërmarrë dhe zbatuar politika që nxisin zgjidhjet e duhura, përmes një vendimmarrjeje që mbështet implementimin e instrumenteve të nevojshme për një mjedis më të pastër dhe minimizim të shkallës së emetimit të ndotësve që kanë në bazë CO2.
Aktualisht, në Vlorë dhe në Shqipëri, ka nisur prodhimi i mjeteve detare të kapaciteteve të vogla dhe perspektiva e këtij sektori vlerësohet optimiste. Ka disa kompani në Vlorë dhe Durrës, që po eksperimentojnë prodhimin e jahteve të para, apo mjeteve të tjera turistike detare, ndërkohë që, në Universitetin e Vlorës, ka “projekt designe”, që orienton përdorimin e struktura të përshtatshme të anijeve që reduktojnë peshën e tyre.
Shfrytëzimi i këtyre resurseve dhe harmonizimi i tyre me faktorët e tjerë në nivel lokal, kombëtar e rajonal, është edhe një nga shinat e këtij projekti, që tashmë po konkretizohet. Në Universitetin e Vlorës, që ofron ekspertizën shkencore, po angazhohen studentë e pedagogë, ndërkohë që, po bashkëpunohet me partnerët, mes të cilëve Instituti për Kërkime Shkencore në Kretë(Greqi), për optimizimin e zgjidhjeve./atsh