Policia e Vlorës ka arrestuar një 63-vjeçar, pasi është kapur me drogë dhe armë pa leje.
Në pranga ka rënë shtetasi F. M., banues në Panaja të Vlorës, i cili është pronar i një lokali në këtë fshat.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet një tjetër operacion antidrogë i koduar “Panaja”.
Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale.
Goditet një tjetër rast i posedimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrohet lëndë narkotike dhe një armë gjahu pa leje.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Qendrore Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas ndjekjes me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Panaja”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë në lokalin e tij, shtetasi F. M., 63 vjeç, banues në Panaja, Vlorë.
Gjatë kontrollit në lokalin e këtij shtetasi në fshatin Panaja, u gjet një sasi lënde narkotike prej 11 kg e 500 gr. cannabis sativa, si dhe një armë gjahu (teke) pa lejen e organeve kompetente, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.
Operacioni vijon për dokumentimin e plotë, si dhe për kapjen e personave të tjetër të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.