Është arrestuar në Vlorë një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, Kasem Piluri 57 vjeç, i dënuar me 10 vite burgim, i cili është pjesë e një grupi kriminal që furnizonin familjet mafioze siciliane me kanabisin nga Shqipëria.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Interpol Tirana, kanë lokalizuar dhe më pas kapur e arrestuar në zonën e Skelës 57-vjeçarin me inicialet K. P., me banim në Tepelenë.
Ky shtetas ishte shpallur në Kërkim Ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit Katania, Itali, në vitin 2017 e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg për veprën penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Një qershor të vitit 2017, Prokuroria për Krimet e Rënda në lidhje me hetimin e këtij grupi kriminal që dyshohet të ketë trafikuar sasi kanabisi nga Lugina e Vilunit drejt Italisë, Prokuroria kërkoi arrestimin e shtetasve Renato Çaushi, Andrea Mita, Kasem Piluri dhe Altin Rramolli.
Gjykata caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”, si të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Për llogari të të njëjtit hetim, në vitin 2014 u arrestuan shtatë persona të tjerë, të cilët tentuan të trafikonin një sasi prej 780 kg kanabis. Ata janë gjykuar nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda, ku kanë marrë dënime me burg.
HETIMI NË 2017
Nga hetimi rezultoi se këta persona dhe të tjerë, për të cilët në atë kohë nuk kishte të dhëna të plota, kishin përgatitur trafikimin nga Shqipëria në Itali (Sicili) të lëndës narkotike të sekuestruar.
Nga përpunimi i të dhënave të autoriteteve italiane, Prokuroria shqiptare siguroi të dhëna të mjaftueshme që dëshmojnë se ky grup është përgjegjës për të paktën dy ngarkesa, me rreth 3.5 tonë në total, të cilat janë sekuestruar nga autoritetet italiane në mars dhe prill 2014. Në ato dy operacione të Policisë italiane, sasia e lëndës narkotike është gjetur në dy peshkarexha, të drejtuara nga shtetas italianë, të cilët e kishin siguruar lëndën narkotike nga grupi shqiptar i njohur nga autoritetet si “Viluni” (në bazë të zonës ku u arrestua pjesa e parë e këtij grupi).
FAMILJET MAFIOZE
Prokuroria për Krime të Rënda është duke vijuar veprimet proceduriale të nevojshme për llogari të këtij hetimi.
Burime pranë organit të akuzës bënë me dije se në periudhën gjatë së cilës janë zhvilluar hetimet, janë marrë informacione të rëndësishme në lidhje me tri grupe kriminale që operonin në territore të ndryshme të Katanias në fushën e trafikut të narkotikëve.
Bëhet fjalë për anëtarë të familjes Moraboito, që zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën e populluar të lagjes Picanello, familjes Nizza, e cila zhvillonte aktivitetin në lagjen Libriono dhe të familjes Saita, një prej të cilëve i njohur me nofkën “Skeleti”.
Anëtarë të këtyre familjeve furnizonin këto lagje me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, nga i njëjti furnitor./Panorama