Ujësjellës Kanalizime Vlorë i bëri apel sot të gjithë konsumatorëve familjarë dhe bizneseve që të kujdesen për matësat e ujit dhe tubacionet.
“Sot në mëngjes në çezmat tuaja mund të mos ketë pasur ujë. Ju bëjmë me dije se nuk ka probleme teknike, por anomalitë janë krijuar nga temperaturat mjaft të ulëta dhe si rrjedhojë uji ka ngrirë”, thekson UK Vlorë.
Ujësjellës Kanalizime Vlorë këshillon qytetarët të mbështjellin me materiale të buta dhe të ngrohta matësin e ujit dhe tubacionet e jashtme në mënyrë që të evitohet ngrirja e tyre.
Po ashtu, këshillohet që të lihen çezmat hapur për disa minuta që uji të mos ngrijë.
Gjatë ditëve të para të janarit Ujësjellës Kanalizime Vlorë po punon intensivisht për një funksionim më të mirë të rrjetit, duke riparuar defektet. /ATSH