Vlorë/ Promovohet në panairin e Kotës “Trashëgimia Gastronomike” e Labërisë

Gatimet tradicionale të zonës së Labërisë u promovuan në panairin e organizuar në Kotë të Vlorës.

“Trashëgimia Gastronomike” apo e “Kuzhinës Tradicionale”, titullohej aktiviteti i zhvilluar nga bashkia Selenicë, pjesë e projektit “Bashkitë për në Europë”, në bashkëpunim me zyrën e BE-së, ku e pranishme ishte dhe drejtoresha e projektit “Bashkitë për në Europë, Jolanda Trebicka.

Nga e gjithë harta e bashkisë banorët erdhën me produktet e tyre të shumta, gjellët tradicionale, duke shndërruar këtë panair në një sofër të madhe të shtruar në qendrën e qytezës së Kotës.

Amvisat kishin shtruar e mbushur gjithë sofrën Labe me gjellët tradicionale. Edhe mishi i pjekur ishte i pranishëm në këtë panair. Pjesëmarrja ishte nga bizneset, banorët e kësaj zone dhe amvisat, të cilat kishin përgatitur gatimet që do të ekspozonin në këtë panair.

Një falënderim u bë nga kryetari i bashkisë së Selenicës, Përparim Shametaj edhe për nxënësit dhe mësuesit e të dy shkollave të Kotës, për ndihmesën dhe bashkëpunimin e dhënë, për realizimin e këtij panairi.

“Identifikimi, ruajtja dhe pasurimi i mëtejshëm i traditës së gatimit, ashtu si në tërësinë e vlerave të kësaj bashkie, merr rëndësinë e saj, në identifikimin e kulturës së kësaj treve. Trashëgimia e të gatuarit, e bukës dhe gjellët tradicionale të zonave të vendit, kanë të veçantën e tyre, ruhen dhe transmetohen tek brezat”, tha Shametaj.

Kryetari Shametaj u shpreh se “kjo bashki ashtu siç njihet për traditën, zakonet, kulturën ka dhe të veçantën e kulturës së gatimit”.

“Njohja dhe promovimi i vlerave të kuzhinës tradicionale, ashtu si pjesë e së tërës, të kulturës, zakoneve, traditave të kësaj bashkie, duhet venë në shërbim dhe në në dispozicion të zhvillimit të turizmit të kësaj zone, me resurse të shumta, por që sot ndodhet në vështirësi, por gjithsesi perspektiva shihet dhe do të jetë optimiste”, nënvizoi Shametaj.

Gjyshet dhe nënat e Labërisë gatuanin në oxhakët e shtëpive, në furrat tradicionale, me tepsitë e tenxheret, në zjarrin me dru lisi, a prralli, që janë dhe “mbreti” i zjarrit dhe i gatimit, piqnin bukën e misrit, bukë saçi, kulaçin e grurit në vatër, zienin mishin, apo e piqnin në hell qengjin ose kecin. Nënat, gratë apo vajzat, përgatisnin gjellën, ndërsa mishin e pjekur e përgatisnin burrat, apo djemtë. Pranë mbanin edhe bijat, bijtë, mbesat e nipërit, që i ndihmonin dhe njëkohësisht mësonin se si duhet gatuar dhe përgatitur!

Mishi i pjekur në helli është ushqimi tradicional i Shqipërisë së Jugut dhe i Labërisë, sidomos mishi i qengjit dhe kecit.

Gjellët tradicionale të Labërisë dhe sipas stinëve janë edhe: Byreku, disa lloj, Harapashi, i gatuar me të brendshme qengji, Rosnicat e skuqura me zog vendi, ose zogu shqirak, Dollma, Rosnicat e bardha, Reshedia, Revania, Yshmeri, Qullapitja, Bakllavaja, (Samësi) sidomos ai me sherbet mjalti.

Por, edhe Urrëla, ajo me produktin; qumësht deleje, mbajtur në lëkurët e bagëtive dhe e përdorur sidomos në stanet e stinët e vjeshtës dhe të dimrit, janë ushqimet karakteristike, të zonës sonë, që plotësojnë sofrën tradicionale, të cilat janë ruajtur, dhe kanë ndryshuar gradualisht.

Pija alkoolike tradicionale në zonën e kësaj bashkie është sidomos rakia e nxjerr nga rrushi, koçimarja, por ka në menunë e pijeve edhe raki të nxjerr nga Mëni, Manaferrat, po edhe nga Kumbulla, jo me shumicë.

Territori i kësaj bashkie mundëson dhe favorizon zhvillimin e turizmit, duke u shtrirë në një terren mjaftë të favorshëm: fushor, kodrinor e malor, me lumenj, liqene, pyje dhe kullota, vende me vlera antike, historike, kulturore dhe turistike, të begata, me tradita zakonore, të cilat i ruan, i zhvillon dhe promovon edhe kjo bashki, për të qenë një vend atraktiv, i vizitueshëm si nga turistët vendas dhe ata të huaj./atsh

Loading...