Vlorë: Qendra Historike, dëshmi e vlerave të traditës në arkitekturë

Qendra Historike, ose Vlora e Vjetër, e rikonstruktuar përmes një projekti të përbashkët të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit(AADF) dhe Qeverisë Shqiptare, është shndërruar tashmë në një mjedis atraktiv dhe me interes për vizitorët.

Kjo hapësirë me vlera të shumëfishta, përmbledh në vetvete historinë e qytetit, ngjarje e momente me rëndësi kombëtare e mbarëkombëtare, ndërkohë që evokon segmente të të shkuarës shumëshekullore në aspekte të ndryshme, një prej të cilave është tradita në arkitekturë.

Ndërtimet në këtë zonë, të evokuara në kohë përmes procesit të restaurimit selektiv dhe në tërësi, përfaqësojnë vlera të vërteta në arkitekturë, të materializuara në shekujt XIX dhe XX, vazhdë e traditave shumë më të hershme.

Në këndvështrimin e historisë së arkitekturës, nuk mund të flitet për një banesë tipike vlonjate, si element urban, ashtu siç përkufizohet dhe veçohen banesat tiranase, shkodrane, elebasanase, beratase, gjirokastrite e korçare. Kjo, sepse, banesa qytetare e realizuar në Vlorë në dy shekujt e fundit, është një përzierje stilesh dhe ndikimesh, e kushtëzuar nga një sërë faktorësh ku përfshihen edhe mentaliteti edhe niveli ekonomik i individëve, ashtu si edhe zhvillimi shumëdimensional i vetë qytetit. E trajtuar në këtë këndvështrim, banesa në Vlorë përfaqëson një tërësi, një simbol ndikimesh e gjykimesh për përditshmërinë.

Në Vlorën e Vjetër, në çdo godinë apo banesë të saj, ne zbulojmë të gjitha fazat e zhvillimit të arkitekturës shqiptare, të materializuara në nivelin lokal. Ndeshim traditën qytetare në ndërtim, stilet arkitekturore otomane dhe më tej, ndikimin e arkitekturës italiane, në variantet e saj neoklasike dhe moderne në katër dekadat e para të shekullit XX, ndikime të stilit austriak etj, të selektuara në raste të veçanta etj.

Këtu, ne hasim dhe shijojmë mrekullinë e artit arkitektonik të të njohurve Gherardo Bosio e Morpurgo, Paolo Palleri etj, të cilët me talentin dhe fantazinë e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Vlorën e Vjetër dhe njëkohësisht të re, ashtu sikundër edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Banesat e shekujve XIX dhe XX në Vlorën e Vjetër, janë produkt i këndvështrimeve të ndryshme, janë përzierje e banesës qytetare beratase, gjirokastrite, korçare, por edhe më gjerë, ashtu si edhe e përvojës së mjeshtrave popullorë që kanë ndërtuar dhe që vinin kryesisht nga Korça, Panariti e Dibra(Golloborda), mes të cilëve Usta Nuredini e Usta Hasani.

Prandaj dhe çdo banesë e ndërtuar në Vlorë në periudhën e dy shekujve të fundit, duhet lexuar në atë që shfaq dhe në atë që mban të fshehur.

Vlora, për shkak të pozicionit gjeografik, vlerësohet të ketë qenë historikisht një qytet i hapur, një destinacion për migrimin e brendshëm dhe rajonal.

Familje me origjinë nga zona dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë, nga Berati, Korça, Gjirokastra, Tirana, kanë mbërritur në këtë qytet, duke sjellë me vete edhe mentalitetin, traditën në stilin e jetesës, në përditshmëri, në ndërtim. Përmes aktivitetit ekonomik tregtar, apo prodhues, kanë rritur standardin ekonomik dhe kanë ndërtuar për të jetuar më mirë, por edhe për të treguar. Sepse, banesa, si njësia bazë e jetesës, është vlerësuar edhe si tregues i pozicionit të individit në shoqëri, si shfaqje e nivelit ekonomik të një familjeje.

Ky tipar i shoqërisë shqiptare në tërësi dhe asaj vlonjate në rastin konkret, reflektohet në çdo godinë të Qendrës Historike të Vlorës, në çdo banesë të kësaj lagjeje të njohur me emrin e saj historik “Muradie”, ku ishin vendosur dhe ndërtuan shtëpitë, pjesa më e madhe e familjeve të pasura, apo të njohura në Vlorë.

Banesa të tilla, si ato të familjeve Bezhani, Strati, Papa, Skrami, Karbunara, Dëma, Kuçi, Seit Qemali, Kume, Sorra, Koleka, Papa, Aristidh Ruçi, Shehu, Shyti, Hoxha, Levi e Jakoel, Matathia, Shamo, Beqa, Dhimitriadhi etj, përfaqësojnë jo vetëm shkëlqimin e pronarëve të tyre, por edhe arritje të spikatura në aspektin arkitekturor.

Sot, të restauruara, ato kanë fituar një dimension tjetër, në një hapësirë të ndryshuar, e cila pritet të shndërrohet në një pol të ri të zhvillimit të qytetit të Vlorës.

Prandaj dhe, në këtë zonë gjen dhe zbulon të gjithë Shqipërinë, personazhe që kanë lënë gjurmë në historinë e saj, Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Marigo Posion e Babë Dudë Karbunarën, Avni Rustemin e Fan Nolin, ashtu sikurse edhe ngjarje të përmasave kombëtare si Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës, Revolucioni Demokratik i Qershorit etj.

Kështu, Qendra Historike e Vlorës, përmes këtij projekti të financuar nga Fondi Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit(AADF) dhe Qeveria Shqiptare, përjeton tri dimensionet kohore, duke evokuar të shkuarën në funksion të të tashmes dhe të perspektivës. Harilla Koçi

Loading...