Vlorë, reduktimi i CO2 në ngushticat detare, BE mbështet qarkun e Vlorës

Reduktimi i pranisë së dioksidit të carbonit (CO2) në atmosferë, në ngushticat detare, është një çështje që ka tërhequr vëmendjen e BE-së, çka konkretizohet në zbatimin e nismave konkrete që shtrihen në vende të ndryshme, mes të cilave edhe në Shqipëri.

Këshilli i qarkut të Vlorës, është partner zyrtar i Projektit PASSAGE, që synon pakësimin e nivelit të karbonit në ngushticat detare, ku përfshihet edhe Ngushtica e Otrantos dhe që financohet në kuadrin e Programit INTERREG EUROPE. Projekti PASSAGE përfshin 6 ngushtica detare dhe përfaqësohet nga 11 partnerë nga 8 vende.

Për të diskutuar për ecurinë e tij dhe për të vlerësuar punën që është bërë deri tani, në qytetin e Vlorës u zhvillua një takim i partnerëve, ku u vlerësuan rezultatet e deritanishme, në funksion të realizimit të nismave të përbashkëta të autoriteteve rajonale të ngushticave europiane dhe ku u prezantua edhe studimi përkatës i realizuar nga Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, që ofron asistencën teknike.

Zv/ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi, u ndal në domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes të gjithë aktorëve dhe faktorëve respektivë për të fuqizuar kapacitetet dhe për të përmirësuar vendimmarrjen edhe në fusha të tilla të ndjeshme, siç është mjedisi.

“Mendoj se komponenti më i rëndësishëm i këtij projekti është koordinimi dhe bashkëpunimi i disa prej faktorëve dhe aktorëve më të mëdhenj në Europë në sektorin e mjedisit, përsa i përket mirëmbajtjes dhe menaxhimit të marinave dhe mënyrave si ata duhet të koordinohen mes tyre për të ngritur kapacitetet vendore në Vlorë, në këtë drejtim dhe atyre që punojnë në sektorin e marinës në këtë qytet”, – nënvizoi Çuçi.

Sipas saj, kjo përputhet edhe me synimet dhe strategjinë e qeverisë shqiptare për të përmirësuar në vijimësi kapacitetet dhe për zhvillimin e mëtejshëm të njohurive dhe aftësive të çdo pjesëtari të administratës publike në fushat respektive, ku përfshihen edhe sektorë të tillë shumë teknikë siç është mjedisi, ku, politikat duhet të ndërmerren nga ekspertët. Ekspertja e këtij projekti, Mirela Koçi, drejtoreshë e Agjencisë Ekonomike Lokale, AULEDA, prezantoi rezultatet e fazës së parë të studimit të realizuar për Ngushticën e Otrantos.

Koordinatorja e Projektit PASSAGE në këshillin e qarkut të Vlorës, Anila Hitaj, i njohu të pranishmit me rolin e këshillit të qarkut në këtë projekt, aktivitetet e zhvilluara, si dhe ato që do të zhvillohen në tre vitet e ardhshme.

Më parë, gjatë takimeve të zhvilluara në Danimarkë, në Helsinki (Finlandë), etj., në bashkëpunim me AULEDA, apo me partnerë si Korfuzi dhe Leçe, këshilli i qarkut ka prezantuar opsione dhe përpjekje që po bëhen për të përmirësuar Planin Strategjik të Qarkut, si dhe politikat që po aplikohen për të ulur nivelin e CO2 dhe mbrojtjen e biodiversitetit./atsh

Loading...