Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në Vlorë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë sezonit turistik të këtij viti.
Në raport me vitet paraardhëse dhe kryesisht me vitin 2017, shihet qartë që këto monumente dhe parqe arkeologjike që administrohen nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, kanë patur një numër më të madh vizitorësh.
Sipas DRKK Vlorë, numri i vizitorëve është rritur me 20% numri i vizitorëve me biletë për periudhën e sezonit veror 2018, krahasuar me një vit më parë.
Një rritje e numrit të vizitorëve është shënuar në kalanë e Porto Palermos, kalanë e Kaninës dhe Parkun Arkeologjik të Orikut, në të cilat është investuar për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por edhe në përmirësimin e shërbimeve, infrastrukturës së brendshme dhe sinjalistikës në ndihmë të vizitorëve.
Konkretisht në kalanë e Porto Palermos numri i vizitorëve për periudhën janar-tetor 2018 është rreth 33 mijë persona, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë regjistrohen rreth 28 mijë vizitorë.
Ndërsa kalaja e Kaninës për periudhën janar-korrik 2018 u vizitua nga rreth 3 mijë persona krahasuar me rreth 1500 në 2017.
Numri i vizitorëve në kalanë e Himarës për periudhën janar-tetor ishte e rreth 4 mijë, po aq edhe në 2017. Ndërsa Manastiri i 40 Shenjtorëve u vizitua nga rreth 1 mijë vizitorë krahasuar me 500 në 2017.
Po ashtu Parku Arkeologjik i Orikut tërhoqi rreth 2500 vizitorë, nga 2 mijë që u regjistruan në 2017. /atsh