Mbrëmjen e sotme furtuna ka përfshirë qytetin e Vlores. Shtrëngatat e shiut dhe era e fortë kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve, duke kufizuar pamjen për shoferët.
Nga reshjet niveli i ujit në rrugë është rritur duke dalë mbi trotuare. Në pothuajse të gjithë kryqëzimet e qytetit janë krijuar radhë trafiku për shkak të kufizimit të lëvizjes.
Ndërkohë përkeqësimi i motit dhe deti me dallgë kanë sjellë pezullimin e lundrimit detar në Vlorë. Mësohet se për shkak të këtyre kushteve të motit, lundrimi do të jetë i pezulluar deri në datën 30 nëntor. Reshjet e shiut shfaqin problemet e para në rrugët e Vlorës. Problematike si gjithmonë janë akset që lidhin bulevardin ‘Ismail Qemali’ me rrugën ‘Transballkanike’. Më problematike prej tyre zona e ‘Albano’ dhe ‘Romina’ në zonën te Universiteti etj. Ndërkohë shiu vijon me intensitet të lartë.