Vlorën edhe Vlorën
(Ali Asllani)
Andej Qaf’ e Topit hedhur si sorkadhe
këtej Guzbabaja, një urat’ e madhe,
mu në mes të tyre shtrihet një qytet
shtëpi e shqiponjës për eternitet;
Vlora tungjatjeta, vendi i mrekullive,
maten me Sazanin degat e ullinjve!
Shëtita Evropën, shëtita Azinë,
gje’ te moll’ e kuqe vajta gjer në Kinë,
sa tutje më tutje, sa lark e më shumë,
dhe atje ku piqej buka mu në kumë;
Deri prapa diellit, në tingli majmun,
dhe atje ku zoti quhej Firaun!
Tobe ja rabi! fryhemi gjynah,
kapërceva qiellin si një zok me krah!
Kapërceva dete mbushur me inxhira,
kapërceva male gurë xhevahira,
gjithë më gostitën, gjithë i gostita,
sa më velesitën, sa u velesita!
Ç’do që desha pata, qumësht dallandyshe,
sa të hanin gjithë, gjyshe dhe stërgjyshe;
dhe me re të bardha dhashë edhe mora,
hazinera gjeta, kur më hante dora!
dhe me re të bardha mora edhe dhashë,
po si Vlorën time një qytet nuk pashë!
Vlorën edhe Vlorën thelp e kam në zemër,
ditën e kam dritë, natën e kam ëndërr…
çdo or’ e minutë ty të kam në gojë,
mbase të zë lemza, kur un’ të kujtojë!
Vlora im’ e bukur, Vlora im’ e lirë,
vetëm ty të dua dhe një gun’ të dhirë!
Aty n’ata rrethe, aty n’ato rrëza
çdo zonj’ e zonjushe matet me thëllëza!
Aty shpirti dridhet, aty zemra hidhet,
aty rreth e rrotull lozën gugulidhet;
dhe për her’ të parë po në atë vënd
një zogëz, një… hajde, më rrëmbeu mënd!
Vlora im’ e bukur, Vlora im’ e lirë,
vetëm ty të dua dhe një gun’ të dhirë!
E kudo që isha e kudo që jamte
këng’ në buz’ të kishja, lot në sy të kamte!