Vr.asja e grave alarmon Kuvendin, deputetët: ‘Deri në 10 vjet burg vetëm për dh.unë’

Dhuna fiziko-psikologjike dhe vrasjet në familje gjatë javëve të para të këtij viti, ku kryesisht viktima janë gratë, ka alarmuar deputetet e Kuvendit të Shqipërisë.

Në mbledhjen e parafundit të Konferencës së Kryetarëve, deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu ka kërkuar që të miratohen me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në Kodin Penal, të cilat parashikojnë deri në 10 vjet burg për burrat që ushtrojnë dhunë në mënyrë të përsëritur në familje.

“Do të doja të shtoja edhe një shqetësim tjetër të cilin e kam personal, ku nisur nga ngjarjet e fundit që po ndodhin, referuar më saktë ngjarjes së Durrësit me vrasjen e një gruaje të re. Ngjarje të tilla kohët e fundit janë bërë shumë shqetësuese.

Në këto kushte brenda edhe mundësive, propozimi i një grupi deputetësh të komisionit të Ligjeve për ndryshim në “Kodin Penal” në lidhje më dhunën ndaj gruas, të kalojë në mënyrë të përshpejtuar”, ka pohuar deputetja Spahiu.

Por, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka deklaruar se këto ndryshime nuk mund të shqyrtohen dhe miratohen me procedurë të përshpejtuar, për shkak se miratimi tyre bëhet me 84 vota. “Është ligj më 3/5 pra shumicë të cilësuar dhe nuk mund të kalojë me procedurë të përshpejtuar. Do të ndjekë procedurën parlamentare, dy javë nga depozitimi.

Depozitimi i saj është bërë në datë 20 janar. Sapo të vijë në afatet që ka Rregullorja menjëherë e kalojmë pasi vetëm dy ndryshime janë”, ka pohuar Manja. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë të gra nga burrat dhe ish-burrat e tyre.

Ngjarjet kanë tronditur edhe një herë opinionin publik. Në 20 janar të këtij viti, dy deputet e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni kanë depozituar tre nisma ligjore në Kuvend, për të rritur ndëshkimin e dhunës në familje, me qëllim për të evituar edhe vrasjet.

Njëra nga nismat, që ndryshon Kodin Penal, parashikon deri në 10 vjet burg për burrat përsëritës që ushtrojnë dhunë. Konkretisht, nisma ligjore parashikon dënimin nga një deri në pesë vite burg të kujtdo që dhunon bashkëshorten apo bashkëshortin nga dy vjet që është aktualisht. Me burg dënohet edhe presion psikologjik ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale.

Kur vepra penale e dhunës fizike apo psikologjike në familje, është kryer në mënyrë të përsëritur, personi i akuzuar dënohet nga dy deri në 10 vjet burg.

Nëse këto ndryshime do të ishin në fuqi kur u dënuar Fatmir Kolecaj, ish-gruaja dhe vëllai i saj sot do të jetonin. Fatmir Kolecaj, autorit të vrasjes së ish-gruas dhe vëllait të saj në Kodër Rrëshen të Mirditës, ishte dënuar me vetëm 10 muaj burg për dhunë në familje.

Loading...