Vrasja tronditëse e 15 vjeçarit në Gramsh nuk është këmbana e parë e alarmit për dhunën në shkolla. Ajo përbën ngjarjen e fundit të rëndë në një seri krimesh të raportuara.
“Ky ishte një krim i paralajmëruar. Mos thotë njeri që nuk e dinim. Një vajzë është qëlluar në Vlorë me plumb në kokë, dhe ka shpëtuar është qëlluar brenda ambienteve, dhe doli dhe tha jo nuk ka ndodhur, pyetja ime është nëse fëmija tim bën një krim unë shkoj në polici dhe them ky e bëri jashtë shtëpisë? U rrahën femrat me skenar te kongresi i manasatirit. Po atë ditë në ksamil rriheshin me dërrasa me shkop basebolli. Po atë ditën e gramshit u plagosën në kamëz”, u shpreh eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti.
Së fundi, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi opinionin por nuk tërhqi të njëjtën vëmendje si ngjarja e Gramshit pasi fatmirësisht nuk pati viktima por vetëm të plagosur. Dy nxënës të shkollës 9 vjeçare Jashar Hoxha në Paskuqan janë përfshirë në një konflikt në pushimin mes orëve. Njëri prej tyre ka mbetur i plagosur me thikë por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Konflikti mes nxënësve ka nisur si pasojë e mesazheve të shkëmbyera në rrjetet sociale.
Prindrit i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë duke supozuar se janë të sigurt brenda oborrit të institucionit të dijes. Në fakt realiteti është krejt tjetër. Nxënës të ndryshëm shkojnë në shkolla të pajisur me doreza hekuri, thika etj. Duket sikur rinia sot është në garë për promovimin e forcës dhe të dhunës në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.
“Duke marrë parasysh sfidat e adoleshencës, një ndër to është edhe zhvillimi i inteligjencës emocionale, që adoleshentët tanë e kanë pak problem. Nëse ne do arrijmë të njohim gjendjen tonë emocionale ne do të dimë të reagojmë, nëse ne nuk dimë të shprehim si ndihemi patjetër që kemi shpërthime emocionale që përkthehen edhe në dhunë”, tha për Inside Story psikologia Eisa Aliaj.
“Përtej rastit ne duhet të shikojmë çfarë ka shoqëria shqiptare që tek fëmijët dhe adoleshentët po përhapet një infeksion I panjohur më parë, krimi minor, vrasja, të dhunshëm, bullistë, që janë bërë të pamëshirshëm ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh sociologu, Gëzim Tushe.
Fati tragjik i Fatjonit nga Gramshi në fakt është ngjarje që përsëritet. 17 vjeçari Krenar Bardulla nga Peshkopia studionte në shkollën “Nazim Rushiti”. Në vitin 2011, ai ishte në vitin e dytë. Pas një sherri që nisi që në orët e para të mëngjesit me një shokun e tij të klasës, pushimi i drekës do të ishte fatal për të. Nxënësi me inicialet E.R ka nxjerrë thikën dhe ka goditur disa herë pas shpine. Këto goditje do të ishin fatale për Krenarin që u nda tragjikisht nga jeta.
“Mësuesi nuk merret më me edukimin sepse nuk ja ka dhënë Ministria e Arsimit këtë mundësi, ministria e ka bërë sekretar, pra të grumbullojë sa më shumë shkresa, të shkruajë por jo të merret me edukimin dhe së fundmi ne na ka humbur një gjë shumë e madhe që se kuptojmë, edukimi. Unë studentëve të mi u them kemi vtm dy detyra shumë të rëndësiahme, ta bëni qytetar dhe të zbuloni çfarë aftësish mund të ketë ky fëmijë”, tha Ndrçim Mehmeti.