Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme reagoi në lidhje me vrasjen e të riut shqiptar në Greqi, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe dënuar ashpër, sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj.
Në një deklaratë për mediet, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së të riut shqiptar dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme sqaron se është njoftuar nëpërmjet Ambasadës në Athinë se dje në mbrëmje, më datë 04.12.2018 në zonën e Kavallës, është gjendur i pajetë shtetasi shqiptar Marios Isak i datëlindjes 31.07.2000, lindur në Kavalla, Greqi.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme. Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit”, shprehet Ministria.
MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre.
Po ashtu, MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombasve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke.
Në vijim të deklaratës, MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë, apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj.
“Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat europiane.
Në kushtet kur bashkëkombasit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e shtetit shqiptar për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh europian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash në Greqi. /atsh