Vrasja e familjes shqiptare nga greku, motra e viktimës jep detaje shokuese: Akt i paramenduar, kishte hapur gropat një javë më parë!

61-vjeçari Sakis Varvaresos më 2 mars 2022, vrau dy fëmijë të vegjël dhe prindërit e tyre, Armando nga Lushnja dhe Maria.

Personat në fjalë u gjetën pa shenja jete në shtëpinë e tyre nga fëmija i tretë i familjes, një djalë 12-vjeçar i cili kishte lindur nga martesa e mëparshme e Marias.

Greku u dënua me katër herë burgim të përjetshëm, 21 muaj në bazë të përbashkët për “armëmbajtje dhe përdorim” dhe 900 euro dënim monetar për veprën e tij të rëndë kriminale ndaj 32-vjeçarit Armando Kloci, bashkëshortes së tij Maria dhe dy fëmijëve të tyre të mitur.

Motra e viktimës, Maries në një intervistë për Balkan Ëeb, u shpreh se ‘molla e sherrit’ ishte nëna e autorit, e cila ankohej për zhurmë të kryer nga fëmijët. Sakaq tha se prej 1 jave, autori përgatiste varret, duke haur gropa.

“Lajmin e morëm vesh nga avokatja. Atë që presim ne është pak. Për dënimin që mori, e meritonte dhe e prisnim. Dënim me vdekje do ishte më e drejtë. Nuk kishte arsye për aktin. Molla e sherrit ishte nëna e vet dhe këtë e ka pranuar pak a shumë. Arsyet ishin banale. Qiraja e parapaguar për dy muaj, nuk ekziston si pretekst. Ai vetë ka pohuar se fëmijët bënin zhurmë dhe shqetësonin nënën, por këto janë arsye banale. Autori e ka paramenduar dhe i parapërgatitur për veprimet e bëra. Kishte një javë që hapte gropat dhe kishte përgatitur gjithçka. Sipas avokates së familjes, autori nuk ka shprehur pendesë. Jam pak e lehtësuar për vendimin, në mënyrë që të qetësohen shpirtrat e tyre. Nëna dhe babai janë të rënduar psikologjikisht. Mami gjithë kohës më pyet ‘pse e ka bërë’. Do të dijë arsyen. Janë vrarë fillimisht kunati dhe motra, pastaj fëmijët 1 dhe 2 vjeç. Kur foli për fëmijët tha se nuk mbante gjë mend. Gjendja e fëmijës që shpëtoi është mirë, por i mungon familja e vet. Por, e ka përjetuar shumë keq. Nuk e kam takuar pasi jam në proces dokumentesh, po flas shpesh me nipin. Djali ishte prezent në ambientet e gjykatës ku u mbajt seanca gjyqësore, pasi e ka kërkuar vetë”, u shpreh ajo.

Loading...