Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas vrasjes së 63-vjeçarit Petrit Zifle në Korfuz, krim që thuhet se është kryer nga një anëtar i Agimit të Artë.
Përmes një deklarate për mediat, MEPJ ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
REAGIMI
Në përgjigje të interesit të medias në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Korfuz ku humbi jetën një shtetas i Republikës së Shqipërisë, zëdhënësja e MEPJ Edlira Prendi, bëri me dije se: “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes”.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi më 25 nëntor në Dragotina, Korfuz. Mediat greke raportojnë se autori i ngjarjes rezultoi pikërisht një 44-vjeçar nga Korfuzi, që është anëtar i Agimit të Artë në Lefkimi. Ai në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat me partinë ekstremiste që kohët e fundit bën thirrje në zonë për të terrorizuar e ndjekur të huajt.
Vrasësi kishte hapur debat për jo grekët dhe për çështjen e Maqedonisë në lokal dhe aty kishte ndërhyrë dhe Zifle. Pjesëtarët e tjerë në lokal i kanë ndarë dhe autori është larguar më pas duke kërcënuar Ziflen, të cilit në Greqi i flisnin Petro. Më pas vrasësi i ka bërë pritë dhe e ka vrarë 63-vjeçarin shqiptar, trupin e të cilit e ka hedhur në një hendek, ku u gjet.
(ed.me/BalkanWeb)