Dy të rinjtë shqiptarë kanë pranuar autorësinë e vrasjes së studentes 21 vjeçare greke, Eleni Tupaludhi. Një 19 vjeçar shqiptar dhe një 21 vjeçar kanë dëshmuar gjatë natës në rajonin e policisë të ishullit Rodos për ngjarjen e 28 nëntorit, të mërkurën kur policia bregdetare e ishullit zbuloi trupin e 21-vjeçares në shkëmbinjtë e bregdetit, thuajse të zhveshur.
Ngjarja shkaktoi bujë në gjithë vendin, ndërsa të enjten më 29 nëntor viktima u identifikua.
Ajo u identifikua si një studente 21 vjeçare në fakultetin e ishullit, me origjinë nga veriu i Greqisë.
Vajza vinte nga një familje arsimtarësh grekë, madje i ati është nënkryetar i Bashkisë së zonës. Dje pasdite, policia e Rhodes ka marrë në pyetje 19-vjeçarin shqiptar dhe 21-vjeçarin grek, të cilët gjatë natës edhe kanë pranuar vrasjen.
Sipas burimeve policore, dy të rinjtë e morën studenten nga shtëpia e saj të martën, 27 nëntor, në vijim shkuan në shtëpinë e njërit prej tyre, ku mesa duket kërkuan akte seksuale të cilat vajza i refuzoi. Gjatë sherrit e qëlluan në kokë me armë të ftohtë, kujtuan se humbi jetën dhe e hodhën në shkëmbinj, në det për t’u dukur si aksident apo vetëvrasje.
Mjekët ligjorë theksuan se viktima në fakt kishte humbur ndjenjat dhe vdekja u shkaktua nga mbytja në det. Sipas burimeve policore, dy të akuzuarit i hedhin fajin njëri tjetrit, ndërsa avokatët nuk u lejuan të marrin pjesë në seancën e djeshme pyetësore. Hetimi i ngjarjes vazhdon.(BalkanWeb)