Vrau rapsodin dhe mikun e tij dy vite më parë, merret vendimi i rëndë për Aleksandër Përdodan

Dënohet me burgim të përjetshëm nga gjykata e Lezhës Aleksandër Përdoda, autori i vrasjes së dyfishtë të rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simonit.
Ndërsa Agron Lushi është shpallur i pafajshëm nga gjykata për veprën penale moskallëzim krimi. Raportohet se avokatët e të pandehurit e kanë kundërshtuar vendimin.

Ata kanë deklaruar se nuk ka asnjë provë që e implikon Përdodën në vrasjen e dyfishtë.

Si ndodhi ngjarja

Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjetën të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020 në afërsi të shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Vjetër.

Ata kishin shkuar në vendlindje ditën e ngjarjes dhe pasi nuk janë përgjigjur në telefon, djali i njërit prej viktimave doli për t’i kërkuar.

Rreth orës 16:00, djali i njërit prej viktimave i ka gjetur të pajetë, ndërkohë që ekzekutimi i tyre, sipas policisë mendohet të jetë kryer rreth mesditës.

Murrani dhe Simoni banonin në periferi të qytetit të Lezhës dhe ditën e ngjarjes kishin dalë herët në mëngjes me motor për të shkuar tek shtëpitë e vjetra në fshatin Lalm i Vjetër. Pasi kanë ngarkuar një thes me jonxhë, dy burrat kanë vendosur të kthehen në Lezhë, por rrugës dyshohet se janë qëlluar befasisht me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda.

Për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së infrastrukturës së rrugës, Policisë i është dashur 60 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin viktimat. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur pas një konflikti pronësie mes Preng Simonit dhe Aleksander Përdodës, i cili kishte ndodhur 8 muaj para ngjarjes.

Në dëshminë e tij, vetë i pandehuri ka pranuar konfliktin, por çështja sipas tij është zgjidhur. Ndërsa me Murranin, Përdoda ka treguar se ka pasur miqësi, që sipas tij, nënkupton se nuk ka pasur asnjë motiv për t’i vrarë. Por nga analizimi që u është bërë qelizave telefonike, Përdoda ka qenë afër vendit të krimit.

Loading...