Vritet me armë zjarri reperi i njohur dhe miku i tij

Një nga reperët kryesorë të Afrikës së Jugut, i njohur gjerësisht si AKA, është qëlluar për vdekje jashtë një restoranti në qytetin bregdetar të Durban.

Kiernan Forbes u vra së bashku me mikun e tij të ngushtë, kuzhinierin dhe sipërmarrësin Tebello ‘Tibz’ Motsoane.

Dyshja mendohet se kanë qenë rrugës për në një klub nate për një performancë si pjesë e festimeve të ditëlindjes së Forbes kur u qëlluan. Motivi i vrasjes ende po hetohet.

Koloneli Robert Netshiunda, tha për BBC se reperi dhe shoku i tij po shkonin drejt makinës së tyre kur u afruan nga dy persona të armatosur, të cilët i qëlluan nga një distancë e afërt. Më pas, sulmuesit janë larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.

Policia ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë nëse vrasjet ishin rezultat i një goditjeje, por tha se kjo mundësi nuk mund të përjashtohet. Forbes filloi karrierën e tij muzikore si pjesë e grupit rap Entity përpara se të niste karrierën e tij solo, duke fituar disa çmime në Afrikën e Jugut për muzikën e tij.

Disa orë para vdekjes së tij, 35-vjeçari postoi në rrjetet sociale për albumin e tij të ardhshëm, Mass Country, i cili do të publikohet në fund të këtij muaji.

Loading...