Vullnet Sinaj: Me kënaqësi pranova ftesën për të pirë së bashku kafen e mëngjesit me Resmi Binajn, një burrë fisnik e kurajoz

Nga Vullnet Sinaj.

Me kënaqësi pranova ftesën për të pirë së bashku kafen e mëngjesit me Resmi Binajn, një burrë fisnik e kurajoz me origjinë nga Sevasteri. Resmiu prej vitesh ka mbetur i paralizuar, ka statusin e paraplegjikut, por vështirësitë e jetës nuk e kanë përkulur.

Juristët e zyrës sonë në Vlorë e kanë ndihmuar Resmiun me procedurat për përfitimin e pagesës së paaftësisë për punë. Rasti i tij dhe shumë të tjerëve si ai, na apelon si shoqëri të jemi më të ndjeshëm e të kujdesshëm ndaj kësaj kategorie shoqërore.

Por, mbi të gjitha apelon ndaj institucioneve të kujdesit shëndetësor të kenë një vëmendje të shtuar ndaj të gjithë anëtarëve të komunitetit që kanë nevojë më shumë se të tjerët për dorën e zgjatur të shtetit. Ka nevojë për reforma lehtësuese, në mënyrë që procedura e komisionimit të invalidëve me status të thjeshtëzohet.

Aktualisht, Komisionet Mjekësore të Caktimit të Aftesisë për Punë u kërkojnë invalidëve si Resmiu të paraqiten fizikisht çdo 2 vite në Tiranë. Do të përpiqem që të bëj ndërgjegjësimin se afati i rikomisionimit duhet ndryshuar, të paktën nga 2 në çdo 4 vite.

Gjithashtu, apeli shkon edhe për Shërbimin Social Shtetëror, i cili duhet të jetë më afër kësaj kategorie me vizita periodike dhe kujdes të shtuar. Solidariteti social nuk është thjesht një shtyllë programore, por qëndron në themel të filozofisë së të majtës. Por, mbi të gjitha solidariteti dhe ndihma qëndrojnë në krye të çdo akti njerëzor. Bashkë jemi më të fortë!

Loading...