Ministri i Brendshëm në largim, Fatmir Xhafaj, gjatë një konference për mediet nga Ministria e Brendshme ka falënderuar drejtuesit e Policisë së Shtetit, teksa ka pasqyruar dhe arritjet gjatë mandatit të tij si ministër i Brendshëm.
“Sot, jam krenar se në këto muaj, në krye të një ekipi shumë profesional, me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, të përzgjedhur me shumë kujdes e përgjegjësi prej meje, kemi mundur të bëjmë disa suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend. Dua ta them që në krye të herës, se vlerësimet e larta të qytetarëve, por edhe ato të partnerëve tanë ndërkombëtarë, janë konfirmimi më i mirë i suksesit të arritur në këtë periudhë”, – tha Xhafaj.
“Dëshiroj të vlerësoj dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë për qindra mesazhe vlerësuese që kam marrë këto ditë nga qytetarë anë e mbanë vendit, nga punonjës Policie të të gjitha niveleve dhe miq të ndryshëm, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mesazhe të cilat më së shumti ju takojnë juve dhe punonjësve të Policisë pa asnjë përjashtim”, – tha Xhafaj.
“Kriminalitetit sot në vend është ndër më të ulëtat në këto 20 vite dhe standardi i sigurisë publike është ndër më të lartit. Statistikat zyrtare për vitin 2017 dhe 9-mujorin e këtij viti konfirmojnë për sa më sipër. Dhe në disa tregues ato janë të krahasueshme me standardet më të mira europiane. Numri i veprave penale dhe në tërësi treguesit e nivelit të kriminalitetit gjatë vitit të kaluar, por dhe gjatë këtij 9-mujori janë në nivelet më të ulëta historike, përfshi këtu edhe numrin e vrasjeve, vjedhjeve, aksidenteve, etj.”, – tha ish-ministri Xhafaj.
“Lufta kundër kultivimit e trafikimit të kanabisit – ishte një ndër prioritetet tona kryesore dhe ndër të parat premtime publike që ne e kemi përmbushur plotësisht. Në 27 mars të vitit të kaluar në këtë sallë deklaruam një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni kriminal, të zhvilluar prej 25 vitesh në këtë vend”, – tha Xhafaj.
“Dëshiroj t’ju kujtoj të gjithë kritikëve tanë, por edhe skeptikëve të ndryshëm dhe veçanërisht atyre që e kanë harruar, ose që me qëllim bëjnë sikur e kanë harruar për të minimizuar suksesin e arritur, që kanabisi kishte shërbyer ndër vite si burimi kryesor i ngritjes dhe fuqizimit financiar të krimit të organizuar në këtë vend dhe që gati po shihej si normalitet i jetës sonë dhe si një pamundësi e shtetit dhe shoqërisë ta fitonin betejën me të”, – shtoi ai.
“Nuk ka qenë një sfidë e thjeshtë lufta kundër tij, por kemi patur gjithë vullnetin dhe aftësinë organizuese që t’i jepnim fund një herë e mirë një prej fenomeneve më kriminale në këtë vend. Dhe e theksoj pa asnjë mbështetje shtesë në burime njerëzore, logjistike e financiare”, tha ish-ministri.
“Kemi përmbyllur operacionin e madh të antikanabisit të këtij viti. Po pres me padurim të shoh rezultatet e certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë këtë operacion, të cilat do të ridëshmojnë se si një histori turpi e dështimi në vite të tëra, më në fund e kthyem së bashku në një histori suksesi. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë, Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve europiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen”, – tha Xhafaj.
“Menaxhimi më i mirë kufijve, me objektiv kryesor frenimin e fenomenit të azilkërkimit dhe migracionit ilegal ishte një tjetër prioritet i rëndësishëm dhe i konsideruar i suksesshëm për ne në këtë vit të parë të këtij mandati”, – tha Xhafaj.
“Është rasti të sjell në kujtesë faktin se, në korrik të vitit të kaluar para marrjes së detyrës prej meje si ministër, vendi ishte nën presionin e shprehur të kthimit të regjimit të vizave për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të numrit të azilantëve në: Francë, Holandë, Belgjikë, etj. Kjo u shndërrua në një prioritet kyç të punës sonë, edhe në kuadrin e plotësimit të kushteve të procesit të integrimit, por edhe si një test i rëndësishëm ndërkombëtar. Me një punë të mirorganizuar, ne mundëm që brenda 12 muajve t’i kthejmë shifrat e azilkërkimit nga një histori dështimi, në një histori suksesi. Një histori suksesi që nga vetë Franca skeptike deri para pak kohësh, sot kjo histori suksesi po kërkohet të prezantohet si një model në Europë”, – tha Xhafaj.
“Lufta kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit” padyshim që ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kyç”, – theksoi Xhafaj.
“Operacioni “Forca e Ligjit” është tashmë një qasje e certifikuar e vullnetit real dhe organizimit efikas në luftën kundër krimit të organizuar. Në vetëm 11 muaj ngritëm strukturat e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe bashkëveprimit operacional, TFSQ e TFSR me policët më të përzgjedhur nga radhët e Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësues të agjencive kryesore ligjzbatuese në vend”, – tha Xhafaj.
“Në saj të këtij operacioni janë goditur disa grupe të strukturuara kriminale, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sot mund të flasim për rezultate konkrete. Në afro 11 muaj janë zhvilluar rreth 22 operacione policore, janë goditur dhë ndëshkuar 11 grupe të strukturuara kriminale të skeduara nga TFSQ, me mbi 175 persona të arrestuar drejtues dhe anëtarë të këtyre grupeve kriminale, si dhe janë sekuestruar vetëm prej tyre rreth 20 milionë euro pasuri. Disa procese hetimore janë në fazën e finalizimit të tyre dhe shpresoj që shumë shpejt të ketë rezultate të tjera në kuadrin e këtij operacioni”, shtoi ministri i dorëhequr Xhafaj.
“Sot, krimi i organizuar në veçanti, por edhe krimi në përgjithësi nuk ndihet më i qetë. Anëtarët e këtyre organizatave e kanë parë dhe e kanë kuptuar shumë mirë, që sot për ta nuk ka asnjë lloj imuniteti në përballjen me ligjin. Përfaqësues të grupeve kriminale që deri dje emrin e tyre nuk guxonte kush t’i përmendte, dhe jo më të mendonte për t’i vendosur në bankën e të akuzuarave nga drejtësia, sot gjenden në qeli, ndërsa ata që janë jashtë po e shohin çdo ditë që rrethi po ju ngushtohet, se nuk e kanë më lirinë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre kriminale”, – theksoi Xhafaj.
“Kemi mbi 1 muaj që kemi nisur një tjetër operacion të rëndësishëm në territor, operacionin policor “Ndëshkimi i ‘të fortëve’”. Në 5 javë që ka filluar intensivisht ky operacion policor pro-aktiv në territor janë ushtruar dhjetëra kontrolle ndaj personave konkretë me precedentë penalë, në kërkim, apo ndaj atyre që bëjnë ‘të fortin’ në mjediset sociale, të skeduar si të tillë nga policia vendore. Janë ndaluar e arrestuar aty, në territorin ku jetojnë, rreth 350 persona nga të cilët rreth 190 persona janë ndër ata të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar. Gjithashtu janë kapur gjatë këtyre kontrolleve armë e qindra fishekë pa leje, lëndë narkotike, vlera monetare të pajustifikuara, automjete në përdorim të vlerave të larta, një pjesë edhe të blinduara, etj.”, – theksoi Xhafaj. /atsh