“Dua që kur të rritem unë, t’i ndërtoj familjes time një shtëpi të re… kur të rritem do ta bëj”. Ishte pikërisht kjo dëshira e Xheisonit në ditëlindjen e tij të 8-të, të cilën e shprehu në skenën e spektaklit “Në kurthin e Piter Pan”, në Televizionin Klan.
Taramelja, siç e njohin ndryshe, ka bërë për vete zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe të drejtueses Alketa Vejsiu dhe stafit të spektaklit. Së shpejti ai do të jetojë në një banesë në Tiranë, e këtë lajm e ka konfirmuar gjatë spektaklit mbrëmjen e sotme themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari.
Kontributi për t’i ardhur në ndihmë Xheisonit dhe familjes së tij ka nisur që nga java e kaluar.
Vetëm në një javë, llogaria ka kaluar më shumë se 15 mijë euro, dhe çdo ditë kjo shifër rritet me vlera të mëdha e të vogla.
Drejtori ekzekutiv i “Fundjavë Ndryshe” ka shprehur falenderimet ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar për të ndihmuar Xheisonin, dhe familjen e tij:
“Shtëpia e Xheisonit është gjetur.
Është një shtëpi shumë e mirë, e madhe, në zonën e Freskut në Tiranë. Së shpejti, do ta sjellim Xheisonin në Tiranë…” , tha Arbër Hajdari.
Ai shtoi më tej se për “Fundjavë Ndryshe”, kjo është shtëpia e 253-të që po ndërtohet për familjet në nevojë.