Kryebashkiakët e djathtë vijojnë të refuzojnë të largohen nga detyra, pas votimeve të 30 qershorit.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, është shprehur se nuk do të lejojë që Rakip Suli, të ulet në karrigen e tij.
“Unë besoj se nuk varet vetëm nga unë. Besoj se shumica e qytetarëve do të jenë barrikadë e këtij grushti shteti.
Nuk mundet që të drejtosh një bashki ku ke marrë vetëm 6% të votave. Do ta lë zyrën kur të bëhen zgjedhje normale.
Janë 27 kryetarë bashkish që janë të gatshëm që të mbrojnë Kushtetutën, ligjin.”- ka thënë Mziu i pyetur nga “Top Channel”.
Sipas Mziut, tërheqja nga plani për të pamundësuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit pa opozitën, shmangu përplasjen e madhe thotë Mziu.
“Jam i sigurt që nëse do të kishte përplasje mund të kishte edhe qindra të vdekur. Personi më i interesuar në këtë kontekst është vetëm kryeministri. Opozita ka rënë dakord për të mos lejuar rotacionin në Bashkitë e saj, ajo njeh vetëm 13 tetorin e Presidentit, deri në atë ditë janë të bindur se Rama do të ikë.”– u shpreh Mziu.