Ylli Manjani – Llogjika është e thjeshtë: pse duhet t’u besojmë juve sot në opozitë, kur dje në pushtet nuk e ndaluat këtë harbut që sot qeveris?!

Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Rama 1, Ylli Manjani ka reaguar pas vendimt të Presidentit të Republikës Ilir Meta për kthimin e buxhetit të vitit 2019, për rishqyrtim në Kuvend.

Në një postim në “Facebook”, Manjani shkruan se ky veprim i Metës sot si President është shumë i drejtë, por nuk ka lënë pa kujtuar kohën kur ai ishte kryetar i LSI dhe sëbashku me Ramën në “tepsi”, miratoi një sërë ligjesh.

Manjani ka theksuar se Meta nuk ka punuar për të kthyer mbrapshtë këto ligje të djeshme të qeverisë në koalicion me LSI-në, ndonëse deputetët e tij ishin kundra tyre, ndërsa ka theksuar se kjo e bën të pabesueshme në publik këtë forcë politike.

Postimi i plotë i Ylli Manjanit:

Ilir Meta, sot President i Republikës, bëri shumë mirë që e ktheu ligjin për Buxhetin e Shtetit. Është padyshim një mundësi shumë e mirë për të reflektuar ndonjë zgjidhje nga ato që kërkojnë studentët. Por, nëse Ilir Meta dje kryetar i LSI e bashkëkryetar i maxhorancës, do kishte ndaluar votimin e ligjit për Arsimin e Lartë, zgjidhja për studentët do ishte më e plotë. Në fakt Ilir Meta nuk ndaloi dot asnjë ligj të mbrapshtë që miratoi dje maxhoranca PS-LSI. Nuk ndaloi as pislleqet e kontrollit të drejtësisë nga Rama; as koncensionet; as taksat e larta; as emigracionin masiv; as anashkalimin e Presidentit të Republikës; as kanabisin e drogën. Asgjë, megjithse deputetë e ministra të LSI reagonin kundër këtyre gjerave. Pa llogaritur këtu persona të tjerë të njohur në publik e madje edhe Institucione ndërkombëtare si FMN. Zaten kjo sjellje politike dëmton sot LSI. E bën atë të pabesueshme ne publik. Llogjika është e thjeshtë: pse duhet t’u besojmë juve sot në opozitë, kur dje në pushtet nuk e ndaluat këtë harbut që sot qeveris?! Sigurisht që LSI do vijojë të jetë në politikë, por shpresoj që ky pësim të jetë bërë mësim. Politika nuk është as marrëveshje punësimi e as zgjidhje e halleve të ditës. Politika duhet të shohë larg, ndryshe nuk është politikë.

Loading...