Zagoria “Park Natyror Kombëtar”!
Ky park natyror shtrihet mes vargmaleve Shëndëlli, Lunxhëri, Bureto, Trebeshinë, Dhëmbël e Nemërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në Jugun e vendit.
Zagoria (Tejmali) është zonë gjeografike dhe etnografike në rrethin e Gjirokastrës. Kufizohet nga mali i Dhëmbelit në lindje dhe i Lunxhërisë në perëndim.
Është e ndërtuar nga flishi paleogjenik që formon një sinklinal dytësor në trajtë lugine në brezin antiklinal të Beratit. Lugina ka fund të ngushtë dhe shpate të pjerrëta.
Përmes saj rrjedh lumi i Zagorisë (degë e Vjosës). Në krahun e djathtë të shtratit të lumit dalin një sërë burimesh karstike.
Mbulesa pyjore është e rrallë. 10 fshatra të vendosura në të dy anët e luginës deri në lartësinë 800 m, përbëjnë fshatin e bashkuar Nivan.
Ata jane Sheperi, Nivani, Nderani, Topova, Koncka, Zheji, Doshnica, Vithuqi(Bythyqi, ose Fshat’ i Vogel), Hoshteva dhe Lliari.
Çdo fundjavë drejt këtij Parku Natyror udhëtojnë me dhjetëra vizitorë dhe pasionantë të natyrës.
Zagoria është një thesar vlerash natyrore, kulturore e kulinarike dhe kohët e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar turistik për Qarkun e Gjirokastrës.
Zagoria ngjan si një “perlë e rrallë natyrore”. Një hijeshi marramendëse që nga malet e lartë, shkëmbinjtë e ashpër e të thepisur, oaze të gjelbra me pemë, lule e bar, vlerat e bio-diversitetit, vlerat kulturore dhe shpirtërore që ka kjo zonë shtojnë pasionin, mjaftueshëm për të tërhequr në gjirin e saj shumë vizitorë e turistë të huaj- laberianews