“Gazeta Shqiptare” zbardh sot emrat e 1244 infermierëve që do t’i nënshtrohen provimit si dhe kalendarin me profilet, datat dhe oraret përkatëse për zhvillimin e testit.
“Ju bëjmë me dije se duke nisur nga data 9 shtator 2019, pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, do të zhvillohet provimi i digjitalizuar për punësimin si teknik i shkencave mjekësore teknike”, – bën me dije Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Dokumentacioni
Ndërkohë, kandidati duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para fillimit provimit dhe duhet të jetë i pajisur me letërnjoftim (kartë ID ose pasaportë, dokumenti origjinal); kopje të kartës ID ose pasaportës si dhe faturën e pagesës (me vulën e bankës përkatëse) së tarifës për QSHA-në.
Të gjithë aplikantët që u mungojnë këto dokumente nuk do të mund të marrin pjesë në provim.
“Për paraqitjen në mjediset e provimit, kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme:
ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit, pasi ky vlerësohet si kriter skualifikimi; ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit; ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit”, – thekson QSHA.